Viti që po vjen duhet të jetë vit i sigurisë në trafikun rrugor, u tha sot nga Këshilli për Siguri të Trafikut Rrugor, në një tryezë ku pjesë morën ministri i Transportit Pal Lekaj, ai i Brendshëm, Flamur Sefaj, i Drejtësisë, Abelard Tahiri, shefi i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Ministri Lekaj theksoi nevojën që ky këshill të jetë funksional, duke shtuar se megjithëse është formuar qysh në vitin 2008, takimin e parë e ka zhvilluar tek në vitin 2016.
Ndërsa, drejtori i policisë Maxhuni deklaroi se meqë institucioni që drejton ka rol fort të rëndësishëm në menaxhimin e trafikut rrugor, duhet shtuar numri i personelit dhe pajisjeve, që puna të ketë rezultate më të larta.
Ai tha se megjithë përpjekjet e policisë, numri i aksidenteve është rritur për 22.4 për qind në raport me vitin paraprak, ndërsa shkaktarët kryesorë janë manipulimi i pasigurt, mos ruajtja e distancës si dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet rrugore.