Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve infektive dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Sipas të dhënave të institutit, nga 16 prilli deri më 18 tetor të këtij viti, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 224 raste me fruth, ndërsa 21 raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
IKShPK bën të ditur se mbi 95 për qind e personave të prekur nga fruthi janë të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.
Përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, instituti ka intensifikuar edhe vaksinimin plotësues (catch-up) për fëmijët që, për arsye të ndryshme, nuk janë vaksinuar me kohë.
Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,481 fëmijë të grupmoshës 2-5 vjeç.
IKShPK ka vlerësuar kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e shkallës së vaksinimit, duke theksuar se vaksinimi është thelbësor për mbrojtjen e fëmijëve dhe kufizimin e përhapjes së fruthit.
Instituti u bën thirrje prindërve që të sigurohen se fëmijët e tyre janë vaksinuar sipas kalendarit të paraparë dhe, në rast të vaksinimit të vonuar, të kontaktojnë profesionistët shëndetësorë për të marrë udhëzimet e nevojshme.