Në muajin qershor do të ju dal afati 24 mijë vaksinave të AstraZenecas të ardhura në Kosovë më 28 mars. Kështu thonë në IKSHPK. Ndonëse është parë hezitim në marrjen e tyre, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se deri atëherë, do t’i japin të gjithë 24 mijë dozat.
Njëzetekatër mijë vaksinat Anti-COVID të ardhura në Kosovë nga COVAX, kanë afat të përdorimit deri në muajin qershor.
Kështu kanë bërë të ditur për Express zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
Ndonëse sasia e tyre nuk është e madhe, në rast se të gjitha dozat e vaksinës nuk shfrytëzohen, ato duhet të dalin jashtë përdorimit.
Zëdhënës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur për gazetën se deri tani, mbi 4 mijë e 500 persona janë vaksinuar kundër COVID-19, dhe se deri në fund të ditës numri i të vaksinuarve mund të shkojë në mbi 5 mijë.
Ndërsa, zyrtarë në IKSHPK kanë treguar se vaksinat kanë afat 6 muaj, meqenëse ato janë bërë para se të vijnë në Kosovë, afati i tyre do të kalojë në muajin qershor.
Për afatin e përdorimit që kanë vaksinat, zyrtarë në disa komuna e drejtorë të shëndetësisë i kanë thënë gazetës se nuk janë të informuar, por që pasi nuk janë furnizuar me një sasi të madhe të vaksinave, do të mundohen që sa më shpejt ta kryejnë vaksinimin.
Përndryshe, të pyetur nëse me të vërtetë vaksinave mund të ju dalë afati pas disa muajve, zëdhënës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë që është e palogjikshme që vaksinave do të ju dalë afati pa u përdorur
“Ju lusim që të mos u japin rëndësi thashethemeve. Kosova ka 24 000 doza në administrim e sipër dhe tema që do t’i dal afati ndonjë doze pa u përdorur është krejt e palogjikshme”, kanë thënë nga kjo ministri.
Edhe koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi ka thënë se të gjitha dozat e vaksinave do të aplikohen pa i përfunduar afati i tyre.
“Në kohën që jemi, shpresoj të kemi edhe sasinë tjetër të vaksinave, të gjitha do të aplikohen pa ardhur afati kohor i aplikimit të tyre”, ka thënë ai.
Ndonëse sasia prej 24 mijë vaksinave të ardhura në Kosovë është vlerësuar tejet e vogël, zyrtarë shëndetësorë kanë treguar për gazetën se ka pasur hezitime të disa punëtorëve shëndetësorë për ta marrë atë.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka deklaruar për Express se është vërejtur një hezitim i punëtorëve shëndetësorë që të vaksinohen.
Ai ka thënë se nga ata që e kanë marrë vaksinën nuk kanë marrë ndonjë ankesë, megjithatë një numër i punëtorëve shëndetësorë të spitalit rajonal po hezitojnë ta marrin vaksinën.
“Është një pjesë e doktorëve kryesisht të spitalit që kanë hezitim dhe nuk e di pse. Ne kemi kërkuar që për dy ditë të vinë gjithë ata që duan të vaksinohen. Ndërsa, raste që janë ankuar te ne nuk ka pasur deri tani”, ka thënë ai
Ndërsa, edhe nga Oda e Mjekëve i kanë thënë gazetës se mjekët që e kanë kaluar virusin janë shprehur të shqetësuar për shkak të mosinformimit të mjaftueshëm nëse mund të kenë ndonjë efekt anësorë pas vaksinimit.
Kujtojmë që ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte bërë të ditur se deri në qershor vendi do të furnizohet edhe me 100 mijë e 620 vaksina Anti-COVID nga COVAX.