Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari bashkë me përfaqësues të OVL-UÇK-së, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, raporton Ekonomia Online.
Jashari tha se forcat serbe u zmbrapsën falë rezistencës së familjes Jashari, teksa shtoi se është nder e obligim institucional që të kujtohet e kaluara me plot sakrificë.
“Një sulm që është bërë në mënyrë tinëzare pas syfyrit të asaj kohe, ku në shtëpi kanë qenë gjyshi me fëmijët, të cilët ishin e më i madhi fëmijë ishte Fitimi. Më të vegjël se ai ishin Besimi, Kushtrimi, Igballe e Blerimi dhe babai Hamza në shtëpinë e fjetjes me gratë e vajzat dhe fëmijët tjerë, që bën një rezistencë për afro 45 minuta e ku i zmbrapsen ato fora e njësi elitare serbe. Axha Ademi nuk ka qenë në atë kohë në shtëpi dhe me të dëgjuar të shtënat ka ardhë por që sulmi kishte përfunduar”, ka thënë Jashari.
Ushtrues i detyrës i kreut të OVL-UÇK’së, Faton Klinaku tha se pushtuesi serb ka pasur për qëllim që në mënyrë tinëzarë ta arrestojë Adem Jasharin dhe të tjerët
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku u shpreh se pushtuesi serb para 24 vitesh ka tentuar që të arrestojë në mënyrë tinëzare Adem Jasharin dhe të tjerët.
“Këto janë zmbrapsur me 22 janar të vitit 1998, gjë që kanë parë se këtu ka rezistencë dhe është dashur që aty të vijnë me forca më të shtuara me 5,6,7 mars e kanë sulmuar me tanke dhe atelieri familjen Jashari. Por, në atë kohë rezistenca e familjes Jashari ka bërë që nuk mund të pushtohet kollaj ky vend. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që këto vlera, këto sakrifica përveç që duhet t’i nderojnë duhet edhe të përkujdesen për to që sot e kësaj dite Kompleksi i Jasharajve, por edhe komplekse të tjera nuk janë të rregulluara dhe të mirëmbajtura nga institucionet e Kosovës”, u shpreh ai.
Para 24 vitesh, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari kishin lëvizur forca të policisë serbe të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme. Por meqë atë natë Ademi nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë ndaj këtij sulmi kishte bërë Shabani, Hamza me nipa e mbesa.