25 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes më 2016

Prishtinë | 12 Shk 2024 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Dënim me 25 vjet burgim i është caktuar të akuzuarit R.G., për vrasjen e gruas së tij më 21 dhjetor të vitit 2016.

Në seancën gjyqësore të mbajtur të hënën thuhet se të dyshuarit i është shqiptuar edhe dënimi për armëmbajtje pa leje.

Siç është raportuar, R.G., akuzohet se e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij M.G., i nxitur nga motive të ulëta të xhelozisë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari më 21 dhjetor 2016 në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, në mënyrë dinake e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka qëlluar të ndjerën me dy plumba në pjesën e përparme të gjoksit ku njëri plumb e ka goditur në zemër.

Me këtë, i akuzuari po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e II të aktakuzës thuhet se me datën, kohën dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin I të akuzës, i pandehuri Gashi në mënyrë dinake i afrohet mikut të tij, të dëmtuarit Xh.G. dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë me armën e njëjtë dy herë në drejtim të dëmtuarit – dëshmitarit Xh.H me ç’rast e qëllon dy herë me plumba në trup.

Me këtë, të njëjtit i kishte shkaktuar plagë të rënda trupore, të rrezikshme për jetën me ç’rast akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Po ashtu, i akuzuari sipas dispozitivit të III, prej datës së pavërtetuar e deri më 21 dhjetor 2016, në shtëpinë e tij në Prishtinë ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm.

Të ngjashme