25-vjetori i çlirimit, Tony Blair mban sot fjalim në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë | 10 Qer 2024 | 07:46 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe gjatë kohës së luftës në Kosovë, Tony Blair, sot do t’u drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ora 10:00.

Vizita e tij përfshin edhe takimin me presidenten Vjosa Osmanit dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas agjendës, në ora 09:00, presidentja Osmani do të pret Tony Blair në një takim në objektin e Presidencës. Mediat do të kenë mundësinë të marrin pamje të pritjes para objektit, ndërsa pas takimit, presidentja dhe Blair do të bëjnë deklarata për mediat.

Më pas, në ora 10:45, kryeministri Kurti do të pret Tony Blair në një takim në oborrin e Qeverisë. Mediat do të kenë mundësinë të marrin pamje të këtij takimi.

Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, më 1999, Blair ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe.

Ai, bashkë me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në atë kohë.

Në shenjë admirimi për kontributin që ka dhënë, në Kosovë u është vënë emri i tij disa fëmijëve të lindur pas luftës, e të cilët tash janë në moshën 25-vjeçare.

Të ngjashme