Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka dënuar me 3 muaj burgim me kusht, të akuzuarin B.B, për veprën penale “Kanosje”.
B.B akuzohej se kanosi bashkëshorten pas mosmarrëveshjes që kishte me djemtë e tij, të cilët e lidhën dhe e rrahën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur nga gjykatësi Mizahir Shabani, pasi që i akuzuar paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.
Dënimi me kusht ndaj të akuzuarit, nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën njëvjeçare nuk kryen vepër tjetër penale.
Në dënimin e shqiptuar, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 13 janar 2022 deri më 13 shkurt 2022.
Teksa pranoi fajësinë, i akuzuari ka thënë se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.
Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit, të ketë parasysh se është mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Nazmi Krasniqi, i cili tha se është bërë në mënyrë vullnetare dhe mbështetet në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Gjyqtari Shabani, ka obliguar të akuzuarin të paguajnë shpenzimet procedurale në shumen prej 30 euro si dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur 31 janar 2022, i akuzuari B.B, më 12 janar 2022, shkakton dhunë në familje, e me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, seriozisht e kanos personit tjetër, këtu të dëmtuarën bashkëshorten e tij Sh.B, se do ta privojë nga jeta.
Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që si rrjedhojë e rastit që kishte i pandehuri, një natë më parë me djemtë e tij, ku ky rast ishte paraqitur në polici, i pandehuri në ditën kritike i drejtohet të dëmtuarës me fjalët “pse e keni sjellë punën deri këtu që të ndërhyjë policia”, ku e dëmtuar i përgjigjet se “ti ke pas problem me djemtë”, e pas kësaj i pandehuri e kanos të dëmtuarën me fjalët “kam me ble një armë dhe do ju vras të gjithëve “.
Më pas thuhet se me t’i dëgjuar këto fjalë, anëtarët tjerë të familje, nga frika se i pandehuri vërtet do të realizojë atë që kishte thënë, një nga fëmijët me telefon e lajmëron policinë, me ç’rast me këto veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e frikës për jetën dhe sigurinë e saj .
Me këto veprime, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.