3 muaj ngujim: Çka dimë dhe çfarë pasojash mund të ketë për Lulzim Hetemin?

Prishtinë | 27 Gus 2023 | 10:33 | Nga Ekonomia Online

Po bëhen tre muaj prej që Lulzim Hetemi u ngujua në ndërtesën e komunës që drejton. Çka dimë deri tash dhe çfarë pasojash mund të ketë një gjë e tillë?

Në orët e mbrëmjes së 28 majit do të mbahej një mbledhje e partisë në pushtet, Vetëvendosjes, në Prishtinë. Menjëherë të nesërmen në mëngjes, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi do të futej brenda ndërtesës komunale për të mos dalë më.

Pasnesër bëhen saktë tre muaj prej që ndodhi ngujimi në fjalë.

Pse ndodhi ngujimi?

Një përgjigje direkte mbi vendimin për t’u ngujuar në ndërtesën komunale nuk ekziston. Megjithatë, besohet se ajo ka të bëjë me mundësinë që Hetemi pasi të dilte të mos mund të futej më.

Kryeministri Kurti, dhe kryetari i partisë së Hetemit, kishte folur në disa raste për këtë ngujim por megjithatë nuk e kishte adresuar qartazi “pse”-në e saj.

“Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo me të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës.”” – shprehej Kurti në një status në Facebook, pa treguar as kush po i kërkonte Hetemit ‘të çante’ vetëngujimin.

Në një adresim tjetër, kryeministri i vendit kishte folur tërthorazi për arsyen e këtij veprimi:

““Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë se në ndërtesat në komunat në veri të Kosovës kryetari të jetë veçse serb. Dhe veçse serbët të hyjnë në ato ndërtesa… Ndërtesat vetëm për një etni janë segregacion, janë apartheid,” – kishte thënë ai.

Edhe nëse do të merrej si e mirëqenë e gjithë kjo, vetë Kurti është shprehur se situata tashmë ishte shtensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Shtensionimi e bën mjaft absurd ngujimin.

Por, cilat mund të jenë pasojat mbi vetë Hetemin?

Pasojat

Hetemi potencialisht mund të përballet edhe me pasoja ligjore, marrë parasysh që askush nuk ka të drejtë t’i shkelë të drejtat madje as vetes së tij.

Por, ai mund të përballet edhe me pasoja psikologjike marrë parasysh qëndrimin e gjatë brenda.

Psikoterapistja Laura Dabney beson që pasojat e qëndrimit brenda ambienteve të mbyllura për kohë të gjatë mund të jenë mjaft të rënda.

“Ankthi dhe depresioni, të dyja këto rriten kur ju ngujoheni brenda. Madje edhe kur ju vendosni vetë që të ngujoheni brenda,” – tha ajo.

Një tjetër problem është edhe prishja e gjumit, rënia e nivelit të vitaminës D dhe dobësimi i sistemit imunitar.

Lulzim Hetemi para disa muajsh ishte shprehur mjaft i kënaqur me kushtet brenda ndërtesës komunale në Leposaviq duke i përshkruar ato “si në hotel”.

Të ngjashme