Më 3 shtator do të mbahet një protestë për të kundërshtuar nominimin e Vuk Jeremiq për sekretar të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Kjo protestë është e thirrur nga gratë nga Kosova, nën organizim të Jeta Berishës dhe Fatbardhë Kiqina, transmeton Klan Kosova.
Në mbështetje të kësaj thuhet se kanë dalë shoqëria civile, aktivistët e Feminizmit Shqiptar, Grupi i Grave Asambliste (GGA), me kryetare Mimoza Shala, Aleanca e Gruas së Kosovës me kryetare Magbule Shkodra, si dhe shoqata “Thirrjet e Nënave”, me kryetare Nesrete Kumnova.
“Nënat e Srebrenicës dhe Zhepës i kanë dërguar letër proteste të gjithë ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duke kundërshtuar nominimin e Vuk Jeremic-it për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së. Antishqiptari më i madh dhe ish-ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq ka kandiduar dhe ka gjasa të zëvendësojë Ban Ki-Moonin në krye të OKB-së, me mandat 10-vjeçar. “
“Nëse ky person do të marr votat që po pretendon, atëherë Kosova do ta humbë anëtarësimin në OKB.”
“Ne e kemi obligim të ngrisim zërin e protestës. Serbia nuk ka kërkuar falje, nuk është dënuar për gjenocidin, nuk është demillosheviqizuar!”
“Për hir të të gjithë dëshmorëve të kombit, për hir të të gjitha nënave shqiptare që janë veshur me të zeza tash e 16-të vite, vajzave dhe grave të përdhunuara, për hir të të gjitha familjeve kosovare që ende nuk u janë gjetur eshtrat e familjarëve të zhdukur gjatë luftës së 99-së, ju ftojmë në protestë masive të shtunën më datën 03 shtator 2016 në orën 12:00 tek sheshi “Zahir Pajaziti”, përfundon komunikata.