Një shitës 30-vjecar i hamburgerëve është vrarë me tre plumba, mëngjesin e sotëm në Gjakovë. I dyshuari për vrasjen, një 21-vjeçar me prejardhje nga Peja, është dorëzuar menjëherë në stacionin policor të qytetit, që ndodhet përballë vendit ku u krye krimi. E. Bajrami i tha Policisë se qëlloi për vdekje A. Hana, pasi i kishte ngacmuar motrën e moshës minore. Viktima vite më parë kishte pasur një rast të hapur në Prokurori për ngacmim, konkretisht për sjellje prej maniaku seksual në publik.
A. Hana, të mërkurën rreth orës 10 të mëngjesit, është qëlluar për vdekje në vendin e tij të punës, në rrugën “Xhafer Lipoveci”, në Gjakovë. Shitësi i hamburgerëve u qëllua nga një 21-vjeçar nga Peja, por që është banor i Gjakovës.
I dyshuari, E. Bajrami, sapo ka shkrepur tre plumbat me pistoletë në trupin e viktimës, është vetëdorëzuar në stacionin kryesor të Policisë në Gjakovë, që ndodhet pak metra larg vendit ku ndodhi krimi.
“Kryesi kishte hyrë në lokalin ku i ndjeri punonte (“Toni Burger”), ka qëlluar me armë zjarri viktimën, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, me ç’rast ka hedhur armën dhe është dorëzuar në stacion policor. I dyshuar është: E.B, kosovar/shqiptar, i lindur me 09.02.1996, në Pejë, me banim në Gjakovë”, ka njoftuar Policia Rajonale në Gjakovë.
“Patrullat policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kuptuar se aty kishte ndodhur një vrasje. Mjeku në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës: A.H, kosovar/shqiptar, rreth 30 vjeçar nga Gjakova”, theksohet në njoftimin që Çolicia e ka dërguar rreth mesditës së të mërkurës.
Pak orë më vonë, në vendin e ngjarjes, lokali ku ka ndodhur krimi ishte i mbyllur. Edhe policia, mjekësia ligjore e prokuroria kishin kryer punën e tyre hetimore.
Megjithatë, Express mori vesh nga hetuesia se i dyshuari në Polici, kur pranoi vrasjen, ka rrëfyer se krimin e kreu pasi viktima i kishte ngacmuar motrën e moshës së mitur, derisa ajo kishte shkuar në lokalin ku punonte A. Hana për t’u ushqyer. Kjo ngjarje, sipas tij, kishte ndodhur pak kohë më parë.
I njëjti, në përshkrimin e vrasjes, ka deklaruar se në mëngjesin e sotëm, kur ka hyrë në lokal, ka pritur derisa myshterinjtë e tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes, dhe më pas ka nxjerrë revolen dhe e ka qëlluar.
Prokuroria Themelore e Gjakovës krimin e ka cilësuar si vrasje të rëndë, derisa i dyshuari është duke u mbajtur në ndalim policor.
Siç mëson gazeta, viktima, A. Hana, në prokurori, disa vite më parë, kishte të hapur një rast ngacmimi. Më konkretisht, i njëjti dyshohej se kishte kryer veprime prej maniaku seksual, ndaj një femre në publik.
Këtë e ka konfirmuar edhe prokurori gjakovar, i cili po e heton vrasjen, Ali Uka. Ai tregon edhe për dyshime rreth gjendjes mendore të të dyshuarit, ndaj edhe tregon se kjo ka qenë arsyeja se pse rasti i mëhershëm është mbyllur nga hetimet.
“Ka pasur një rast para 5 apo 6 viteve, por që, me sa unë kam informacion, është mbyllur për shkak të gjendjes së tij psikike jo të mire”, ka thënë Uka.
Rreth vrasjes së sotme, Prokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës tregon se ka informacione se viktima dhe i dyshuari kanë pasur mosmarrëveshje, për, siç thotë ai, motive të ulëta, të cilat i ka konfirmuar edhe vetë i dyshuari, gjatë dorëzimit në Polici.
“Deri tek ky rast tragjik ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme, për motive të ulëta”, konfirmon edhe Policia në njoftimin për vrasjen.