“300 milionë euro humbje të bizneseve, të shkaktuara nga jostabiliteti energjetik”

Prishtinë | 21 Nën 2017 | 12:03 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kostoja e mungesa e energjisë elektrike vazhdojnë të jenë barrierat kryesore për bizneset në Kosovë.

Kështu u tha në organizimin e forumit të biznesit  me temën “Pengesat qindra milionëshe: Energjia Elektrike”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë forum u tha se rreth 300 milionë euro janë humbjet e bizneseve, të shkaktuara nga jostabiliteti energjetik.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se çmimi i prodhimeve në vend është 13 për qind më i lartë se i atyre që importohen.

“Jemi në shekullin e ekonomisë dhe të na përcjellin trendet e çkyqjes dhe mosfurnizimit me energji elektrike është e pamundur të flitet për zhvillim. Më shqetësuese në Kosovë është se ka shumë vite që flitet për ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe kjo ka mbetur vetëm një emër. Derisa ne vetëm flasim për këtë në rajon kanë ndërtuar kapacitete të reja”, tha Gërxhaliu.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka premtoi se këto probleme do të zgjidhen. Lluka shpreson se për pesë vite të zgjidhet problemi me energjinë elektrike.

“Një raport i USAID-it, ka treguar se rreth 300 milionë euro janë humbje të bizneseve të shkaktuara nga energjia elektrike. Që nga paslufta janë importuar 550 milionë euro energji dhe rreth 32 për qind janë humbjet komerciale në rrjetin tonë të cilat janë pjesë e faturave të bizneseve dhe shtëpive. Prej tyre 5 për qind humbje nga mospagesa e veriut që të integrohen në faturat e pjesës tjetër të vendit”.

“Kosto e prodhimit në Kosovë është rreth 30 për qind më e shtrenjtë se ajo e rajonit. Kosova është i vetmi vend në Europë, që tarifat e bizneseve janë më të shtrenjëta se të shtëpive. Duhet të rregullohet një treg që të kemi një balanc në mes  tarifave biznesore me ato të shtëpive. Në të gjitha vendet tarifat janë më të vogla për bizneset se ato të shtëpive”.

Ilir Rexhepi nga GIZ-i shprehi shqetësimin e njëjtë sa i përket barrierave me energji elektrike.

Ai tha se furnizimi me energji elektrike dhe tarifat e çmimit të energjisë  nga kompanitë po shihen si barrierë që ndikojnë drejtëpërdrejt në kosto të prodhimit.

“Akterët e sektorit të energjisë duhet të hartojnë pako të favorshme për kompanitë prodhuese në vend për të përkrahur ata. Duhet të organizohen kampanja vetëdijësuse për të aplikuar këto masa.  Institucionet duhet të hartojnë masa lehtësuese për kompanitë, fonde dhe grante lehtësuese për prodhuesit kosovarë si dhe t’i nxisë kompanitë të përdorin energjinë efiçiente”, u shpreh Rexhepi.

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë Faton Thaçi përmendi faktorët që ndikojnë negativisht në prodhim.

“Furnizimi jo i rregullt me energji elektrike, çmimi i lartë, tarifa jostabile, ndërprerja e paparalajmëruar, mos shfrytëzimi potencial i duhur i energjisë”.

Sipas tij gjendja e energjisë në Kosovë është e trashëguar që nga vitet 90-ta.

Hulumtimi është realizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila ka intervistuar 308 kompani, të sektorëve siç janë tregtia, ndërtimi, prodhimi e shërbimet. Rreth 61 për qind të ndërmarrjeve të intervistuara kanë deklaruar se ndikimi i energjisë elektrike në kostot totale është i lartë dhe kjo po i pengon në zhvillimin e bizneseve.

 

 

Të ngjashme