33 persona kanë humbur jetën nga vala e të nxehtit të pazakontë që ka prekur pjesën jugore të provincës kanadeze të Quebec.
BBC shkruan se moti i nxehtë nisi të premten, me temperatura deri në 35 gradë dhe me lagështi të madhe.
Numri i të vdekurve është rritur çdo ditë përgjatë gjithë kësaj jave, me 17 viktima të raportuara deri të mërkurën dhe duke shënuar shifrën rekord prej 33 të vdekur të enjten.
Kjo valë e të nxehtit është më e rënda që ka parë kjo provincë në dekada të tëra. Zyrtarët u bënë thirrje njerëzve që të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të qëndrojnë në hije.
“Po bëjmë gjithçka mundemi” tha kryebashkiakja e Montreal, Valerie Plante. Qyteti ka hapur pishinat dhe hapësirat me ajër të kondicionuar për publikun.
Deri më tani, 12 nga 33 viktimat kanë qenë në Montreal, qyteti më i populluar në këtë provincë. Temperaturat mesatare në Montreal normalisht janë nën 25 gradë Celcius në këtë periudhë të vitit.