35 vjet LDK – Abdixhiku rikujton trashëgiminë e Rugovës dhe thërret për një “Kosovë të re”

Prishtinë | 23 Dhj 2024 | 19:01 | Nga Diellza Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar të hënën 35-vjetorin e themelimit në një ceremoni solemne që mblodhi udhëheqës, anëtarë dhe përkrahës të kësaj partie. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përkujtoi këtë datë si momentin kur “intelektualë të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci”, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, Abdixhiku vuri theksin te trashëgimia historike e Ibrahim Rugovës dhe roli i LDK-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Liria e Kosovës mban vulën e Ibrahim Rugovës dhe LDK-së. Edhe pavarësia e Kosovës u bart nga LDK-ja, ndërsa shtet-ndërtimi mban vulën tonë. Lindja e LDK-së ishte lindje e aspiratave për liri, demokraci dhe paqësore.”

Kryetari përkujtoi guximin e themeluesve të partisë duke theksuar se partia pati “35 vjet guxim, qëndrueshmëri dhe përkushtim të palëkundur ndaj idealëve”.

“Sot, ndërsa shënojmë këtë përvjetor, ripërtërijmë zotimet tona për të ardhmen”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, në zgjedhjet e 9 shkurtit do të ketë një kthesë në skenën politike kosovare, duke shënjestruar populizmin që ka mbajtur peng zhvillimin e vendit.

“Në njërën anë, Republika jonë udhëhiqet nga popullistë që kanë toksikuar e rrënuar secilën shtyllë tonë demokratike, kanë ndarë, përçarë e gjymtuar gjithë kohezionin tonë kombëtar. Për shkak të një politike të tillë, Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicional”.

“Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, nuk po udhëhiqet nga besues të saj që e duan të ardhmen, pro nga ankues që na mbajnë në të shkuarën”.

Ai bëri thirrje për mobilizim të mbështetësve të LDK-së, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve si moment historik për ta rikthyer Kosovën në rrugën e saj pro-perëndimore.

“E kaluara jonë është e lavdishme dhe e papërsëritshme, por e ardhmja mbetet e hapur. Ne kemi në dorë të përsosim fatin tonë politik dhe të vazhdojmë rolin tonë historik”, tha Abdixhiku.

Fjalimi i plotë:

Të dashur anëtarë e struktura të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Të dashur themeltarë të lidhjes më të rëndësishme politike në Kosovë,

Të dashur bashkëmendimtarë e bashkëpartiakë të familjes sonë,

Zonja e zotërinj,

Më lejoni që teksa shënojmë e kremtojnë këtë përvjetor jubilar tonin, të ju uroj për ditëlindjen e 35-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës; lëvizjes më të madhe kombëtare për Liri, për Pavarësi, për Demokraci.

Tridhjetë e pesë vjet guxim, qëndrueshmëri dhe përkushtim të palëkundur ndaj idealeve të lirisë, demokracisë dhe shtetësisë – një rrugëtim që ka përcaktuar jo vetëm fatin e shtëpisë sonë të demokracisë, por fatin e vendit dhe kombit tonë.

Këtë mbrëmje, ndërsa jemi mbledhur për të festuar këtë moment historik, ne nderojmë trashëgiminë e atyre që hodhën themelet e kësaj lëvizjeje, siç dhe reflektojmë për rrugën e gjatë e të lodhshme, gjithsesi të papërsëritshme, që kemi përshkuar për 35 vjet. Dhe mu në këtë datë historike, gjejmë dhe momentin të ripërtërijmë zotimin tonë ndaj vlerave dhe parimeve që vazhdojnë të na udhëheqin edhe sot!

Tridhjetë e pesë vjet më parë, më 23 dhjetor të vitit të ndryshimit evropian, të vitit 1989, në një atmosferë represioni dhe dëshpërimi, një grup vizionarësh guxuan të ëndërronin për një të ardhme tjetër të Kosovës. Ata, ëndërruan për lirinë, ëndërruan për demokracinë, ëndërruan për pavarësinë. Në gjithë këtë ëndërrim të tyre, ata themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës, formacionin e parë dhe të vetëm pavarsist të popullit të Kosovës.

Në krye të kësaj besëlidhje e kësaj lëvizje popullore, qëndronte prijësi ynë historik, ati themeltar i shtetit të Kosovës, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Lindja e LDK-së, ishte lindje e aspiratave të artikuluara politike për liri, për pavarësi, për demokraci. Ishte lindje e përpjekjes sonë kolektive për jetë të lirë, të dinjitetshme, të pavarur, në shtetin e Republikës së Kosovës.

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës shënon, nderon dhe ndërton të katër dekadat e saja vepruese.

Shënon dekadën e parë të viteve të 90-ta, kur nisi projektet e mëdha identitare e organizative të shtetit të Kosovës. LDK organizoi “Deklaratën e 2 Korrikut” të vitit 1990; organizoi Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit të vitit 1990;  organizoi “Referendumin Popullor” të vitit 1991. Në këto ngjarje, dhe të tjera, programi politik i LDK-së u bë projekt nacional i Kosovës.

Si rrjedhojë u krijua sistemi i pavarur qeveritar, sistemi institucional i financimit, sistemi i arsimit, i shëndetësisë, sistemi i informimit dhe ai i mbrojtjes e sigurisë.

Krijimi, udhëheqja dhe implementimi i këtij organizimi – në Kosovë e në mërgatë pa dallim – nga burrat e gratë më të dedikuar të Kosovës, një pjesë e madhe e të cilëve dhanë dhe jetë e kaluan nëpër faza të ndryshime persekutimi, ishte bazë e mbijetesës shoqërore në vend, ishte bazë e solidaritetit tonë kolektiv, ishte bazë e mosnënshtrimit tonë popullor.

Ndërkaq politika përbashkuese e Ibrahim Rugovës, politika e tij e paqes, e durimit e insistimit kokëfortë për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës, u bë udhërrëfim origjinal i rrugëtimit tonë historik drejt lirisë.

Organizimi i sistemeve të LDK-së u bë shtyllë e luftës çlirimtare nëpër çdo fshat e qytet të Kosovës; politika rugoviste përballë represionit militar e gjenocidial të Serbisë në Kosovë u bë ftesë e intervenimit ndërkombëtar në Kosovë nga aleatët tanë në SHBA e Evropë. Rezistenca e shqiptarëve, paqësore e militare, aleanca perëndimore e kurorëzuar në intervenim ushtarak të NATO-s, si dhe vet liria e fund shekullit 20, ishin procese të bartura nga vet Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në dekadën e dytë, dekadën e pas lirisë, LDK ndërtoj dhe udhëhoqi rrugëtimin tonë fillimisht për rindërtim e më pas dhe për pavarësi. Mbështetja masive popullore e fillimdekadës së dytë, ishte konfirmim i mbështetjes së pandryshueshme qytetare për misionin historik të nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe pijetari Ibrahim Rugova.

Në këtë mision historik, LDK udhëhoqi me formimin e institucioneve të reja shtetërore, me krijimin e partneriteteve me misionet mbikëqyrëse ndërkombëtare, me rimëkëmbjen shoqërore gjatë tranzicionit të vështirë, me ndërkombëtarizimin e çështjes së statusit të Kosovës, me bisedime sa patriotike aq edhe profesionale, e me mirëmbajtjen e aleancave nëpër kryeqendrat botërore.

Ky mision u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, e me njohjen ndërkombëtare të realitetit shtetar të Republikës së Kosovës. Prandaj, sikurse liria e demokracia, edhe pavarësia e Republikës së Ksoovës u bart nga vet Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në dekadën e tretë, LDK pati rol thelbësor në forcimin e shtetësisë së re të Kosovës. Vazhdoj me kontributin prijetar në proceset e anëtarësimit në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare politike, ekonomike, kulturore e sportive. Ndërtoj shtyllat e orientimeve kontraktuale me BE-në, si aspiratë e patjetërsueshme politike, si dhe kontribuoj në zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror në nivel qendror e lokal pa dallim. Shtetndërtimi i Kosovës, mbanë vulën e LDK-së.

Kauzat e LDK-së ishin kauza të një shtetit të lirë, të pavarur e sovran, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shërbim të kësaj kauze, LDK u vendos përballë frymave populliste, përdoruese e keqpërdoruese, që Kosovën e shndërruan jo rrallëherë në fushëbetejë të papërgjegjësisë politike; çmimet e së cilës i paguajmë në veçanti sot.

Të tri dekadat e para u ndërtuan nga veprimtarë e veprimtare të devotshëm e patriotikë, sakrifikues e atdhedashës. Prandaj sot, ne nderojmë secilin anëtar e mbështetës tonin, që nga dita e parë, deri tek kjo e sotmja – pa dallim – që në periudha e kërkesa të ndryshme kohore, i dhanë LDK-së e vet Kosovës gjithë potencialin e vet njerëzor e veprues.

Mbi të gjitha, sot nderojmë gjithë ata që në aktin më të lartë patriotik flijuan jetën në altarin e Republikës; si dhe nderojmë gjithë ata të cilëve në pabesinë e hijeve të territ e krimit, ju mor jeta.

Nderojmë të gjitha strukturat e mëparshme të LDK-së, të të gjitha niveleve, që shërbyen drejtë, me nder dhe me dinjitet në familjen tonë politike. Kjo shtëpi e madhe e demokracisë, është e nderuar dhe me fat që në gjirin e vet ka pasur njerëz si ju. Do të jetë me fat dhe e nderuar kur radhëve të saj e rrugës së trasuar nga ju, do t’i shtohen të rinj e të reja, burra e gra nga çdo anë e Kosovës. Sepse kjo është pasuria jonë e vërtetë. Njerëzit e LDK-së. Ideja e LDK-së, Trashëgimia e LDK-së.

Të dashur veprimtarë e veprimtare,

Zonja e Zotërinj,

E shkuara jonë është e lavdishme.

Është e papërsëritshme.

E ardhmja jonë është e padefinuar. E pashkruar.

Kjo e ardhme i pret veprimet tona.

Unë, dhe secili tjetër në shërbim ndaj kësaj shtëpie të demokracisë, kemi nderin, privilegjin dhe përgjegjësinë e madhe të përcaktojmë fatin tonë politik në këtë pjesë të dekadës së katërt. Ndjejmë të gjithë, nder dhe privilegj, sepse në botën politike shqiptare, s’mund të ketë gjë më kulmore se sa vazhdimi i angazhimit tri dekadësh të nisur më 23 dhjetor të vitit 1989.

Ndjejmë përgjegjësi, dhe përgjegjësi të madhe, për rolin që LDK duhet të ketë në skenën politike kosovare; jo për fatin e vet politik, por për fatin e të ardhmes së Kosovës; sidomos sot, sidomos tani, sidomos në prag të zgjedhjeve të ardhme parlamentare.

Sepse, në këto zgjedhje përcaktohet jo vetëm dekada e katërt e Lidhjes sonë, pro dhe dekada e katërt e aspiratave origjinale të popullit të Kosovës. Kjo dekada e katërt është dekadë e testit të Kosovës pro-perëndimores, është dekadë e anëtarësimit në NATO e rrugëtimit për në BE. Është dekadë e zhvillimit, modernizimit, mbajtjes së njerëzve në vend, është dekadë e Rrugës së Re kundrejt popullizmit.

Prandaj sot, në këtë përvjetor, më duhet të tërheqë vëmendjen e secilit anëtar të LDK-së për sfidat me të cilat përballet Republika jonë; por dhe njëkohësisht, me momentumin e mirë në të cilën gjindemi si parti – momentum ky që na ngarkon me përgjegjësi.

Në njërën anë, Republika jonë udhëhiqet nga popullistë që kanë toksikuar e rrënuar secilën shtyllë tonë demokratike, kanë ndarë, përçarë e gjymtuar gjithë kohezionin tonë kombëtar. Për shkak të një politike të tillë, Kosova nuk po arrin as të hedhë hapat e mëdhenj zhvillues në vend, e as të ndërtojë ura bashkëpunimi të brendshme, edhe më pak ura komunikimi me aleatët tanë tradicional. Potenciali ynë ekonomik, arsimor, shëndetësor, ligjor, social e ndërkombëtar është peng i tekeve populliste që gjejnë fajtorë për mosveprimin e vet. Republika jonë, Kosova shtet i pavarur e sovran, nuk po udhëhiqet nga besues të saj që e duan të ardhmen, pro nga ankues që na mbajnë në të shkuarën!

Është koha që t’i lëmë ata në të shkuarën, veten dhe popullin e Kosovës ta prijmë drejt së ardhmes!

Sepse Lidhja jonë 35 vjeçare, gjendet sot sërish mes thirrjeve të mëdha të popullit të Kosovës për ndryshim. Këto thirrje ekojnë nëpër takimet e tubimet tona mbarëkombëtare, nga sallat e stërmbushura, deri tek takimet familjare. Janë thirrje për ndryshim të madh politik, që vendit tonë i sjellë trajektorën origjinale për integrim euroatlantik, zhvillimin e shumëpritur ekonomik, e mbi të gjitha, rugovizmin si vlerë, si sjellje, si projeksion shtetar brenda dhe jashtë pa dallim!

Kjo thirrje popullore për ndryshim duhet të marrë përgjigjen tonë me veprim! Kësaj thirrjeje për ndryshim, i përgjigjemi të gjithë bashkërisht.

I përgjigjemi fillimisht me mësimet e Rugovës, se forca më e madhe nuk qëndron në dorën tonë të bërë grusht, por në dorën e hapur – të shtrirë si ftesë për përbashkim.

Prandaj ne sot, dhe jo vetëm sot, shtrojmë dorën e përbashkimit ndaj gjithë atyre të djathtëve, patriotëve, të gjithë rugovistëve, që vazhdojnë të ëndërrojnë, siç ëndërruan bashkëmoshatarët tanë 35 vite më parë, për një Kosovë të barabartë mes kombeve tjera evropiane. Që e duan unitetin tonë të brendshëm, rrugëtimin e mbarë të jashtëm, mbi të gjitha, që i duan e ruajnë parimet themelore të partisë së djathtë, nacional-demokratike, zhvillimore e me orientime të qarta euro-atlantike.

Shtrojmë dorën e afrimit dhe ndaj aleatëve tanë, që për katër vite i kemi mbajtur në distancë, në përmasën e përfundimit tonë të izoluar e heqjes dorë nga integrimi euroatlantik. Do të kthemi, fort, do të kthemi shpejtë, do të bëjmë ëndrrën tonë evropiane si evropianë që jemi të vërtetë!

Shtrojmë dorën e thirrjes për gjithë ata të lënët në harresë, mësuesit, mjekët, policët, ushtarët, punëtorët, ndërmarrësit, mendimtarët e lirë të një Republike të lirë, që para vetes ka për të shkruar tregimin e bukur përpara. Ky tregim do të bëhet me programin tonë zgjedhor, me angzhimin tonë patritotik, ndaj Republikës që e bënë vet!

LDK ka qenë gjithmonë parti e popullit. Si e tillë, ne nuk shtyhemi nga qëllimi i pushtetit; ne shtyhemi nga qëllimi i vet shtetit. Ne nuk ushqehemi nga ambicia individuale; ne ushqehemi nga përkushtimi i thellë dhe i qëndrueshëm për Kosovën dhe fatin e popullit e saj.

Kjo na bën të veçantë!

Kjo do të na mbanë origjinial!

Dhe në këtë momentum të mirë që gjindemi sot, mu në prag të zgjedhjeve të vitit 2025, le të gjejmë gjithë forcën e brendshme, t’i shfrytëzojmë të gjitha energjitë e mbetura, që 50 ditë nga sot, të ketë festë në Kosovë – dhe atë festë të madhe rugoviste në çdo shesh të Republikës!

Sepse ndryshimi po vjen!

Po vjen fort, dhe s’ka asgjë që e ndalë tashmë atë.

Dhe këtu, në këtë përvjetor të 35-të, më lejoni që të shpreh falënderimin e veçantë për bashkatdhetarët tanë, që tashmë kanë nisur uraganin e ndryshimit me regjistrim.

Po ju njoftoj, lajmëroj, e kumtoj, se në regjistrimin e votuesve në mërgatë, në bazë të të gjithë të dhënave të strukturave tona, Lidhja Demokratike e Kosovës, prinë me numrin e mbështetësve e votuesve të regjistruar për në zgjedhjet e shkurtit. Gjersa flasim sot këtu, rreth nga 60 mijë të regjistruar gjithsejtë, plot 25 mijë janë anëtarë e mbështetës tanë. Ata, së shpejti do të jenë dhe votues tanë të ardhshëm; votues të ndryshimit të madh kombëtar!

Ju ftoj, që të tri ditët e mbetura, t’i vazhdojmë angazhimet për regjistrim; dhe kështu, ndryshimin që e ndjejmë brenda, ta mbajmë të barabartë me ndryshimin që na vjen nga mërgata!

Por, sonte, le të festojmë. Le të nderojmë të kaluarën tonë, të përqafojmë të tashmen tonë dhe të angazhohemi për të ardhmen tonë. Le të marrim frymëzim nga guximi i atyre që erdhën përpara nesh dhe të zgjidhim nga sfidat që na presin. Le të shkruajmë së bashku kapitullin tjetër të historisë së Kosovës – një kapitull i përparimit, unitetit dhe shpresës.

Prandaj më lejoni të ngre një dolli për të gjithë ju, familjet tuaja, për vet Lidhjen Demokratike të Kosovës, shpresën e parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës.

Të ngre dolli dhe për vitin që lam pas, e tjetrin që po na vjen. Do të jetë vit i fitores historike, i rugovizmit e vet qeverisë së ndryshimit!

Sonte festojmë!

Nga nesër, ngriteni zërin, përvilni mangët, ngriteni shpresën për të nesërmën dhe rrugën plot dritë përpara!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!

Ju faleminderit!

Të ngjashme