Liberalizimi i vizave shihet si shpëtim nga të papunët

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 10:42 | Nga

Sipas Zyrës së Punësimit në Prishtinë gjatë vitit 2015 janë identifikuar zyrtarisht 72 mijë të papunë, që krahasuar me vitin 2014 është në ngritje për 2462 persona apo 3.5 për qind.
Kurse, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë vitit 2014nga Kosova u larguan rreth 45 mijë banorë, vetëm një vit më vonë në Gjermani kosovarët kanë kërkuar azil 11.729 persona, ku sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë kosovarët kanë prirë bindshëm me kërkesa në Gjermani, krahasuar me vende të tjera. Arsyeja kryesore e e ikjeve, sipas tyre është se Kosova nuk po ofron mundësinë për punësim.

Ndërkaq për vitin 2016 ende nuk ka statistika se sa është numri i kosovarëve që kanë ikur nga Kosova. Po ashtu edhe analistët poltikë si faktor kryesor e shohin papunësi në vend, dhe ngecjet ekonomike në Kosovë.

Analisti i çështjeve politike Arton Muhaxheri ka thënë për Infopress se ikja e kosovarëve nuk është e lidhur me dështimet e qeverisë, edhe pse sipas tij papunësia është njëra prej arsyeje-ve kryesore.

“Të themi se në Kosovë është gjithçka në rregull mendoj që e mashtrojmë veten, mirëpo dalja e qytetarëve jashtë vendit nuk është domosdoshmërishtë e lidhur me dështimet e qeverisë në disa fusha, e në veçanti në fushën e ekonomisë edhe pse papunësia është njëra ndër arsyet që qytetarët dëshirojnë të dalin jashtë vendit”, është shprehur Muhaxheri.

Kurse, analisti Blerim Burjani tha për Gazetën Infopress ka thënë që tërë këto pakënaqësi vijnë nga pabarazia, dhe vendosja e pushtetit, ku mbi 30% e të rinjve kanë dëshirë të largohen nga Kosova si pasojë e perspektivës.

“Pakënaqësit e mëdha vijnë nga pabarazia dhe vendosja e pushtetit partiak, të gjithë s’mund as nuk duan të jenë në politikë, këtu është e atakuar gjenerata e re e cila është e papunë, dhe e pa shpresë. Numër i madh i të rinjve, ku mbi 30% e të tyre dëshirojnë të largohen nga shteti për arsye perspektive, çdo i dyti i ri ëndërron punësimin e pamundshëm në Kosovë, ka shumë pabarazi”, ka thënë Burjani.

Ndërkaq, Enver Morina qytetar nga Vitia ka dy vjet që është i papunë, dhe sipas tij qytetarët nuk ikin nga vendi më dëshirë, por për shkak të kushteve jetësore.

“Ka dy vjet që jam pa punë, dhe vazhdimisht jam në kërkim, por kushtet për punë jenë të vështira, po kërkohen dokumentacione të cilat ngjasojnë sikur jem duke jetuar në Paris, andaj qytetarët nuk po kanë zgjidhje tjetër”, ka cekur Morina.

Po ashtu edhe Rinor Hoxha nga Skenderaj është njëri prej ekonomistëve të diplomuar tash e 8 muaj, dhe ende është i papunë. Sipas tij çdo ditë e më vështirë po bëhet në Kosovë. Ai thotë të ketë aplikuar vazhdimisht për punë, por numri i madh i të diplomuarave po e vështiron punësimin.

“Tash e 8 muaj kam diplomuar në drejtimin ekonomik, por ende pa ndonjë rezultat, edhe pse vazhdimisht aplikoj për punë, por kjo gjë në Kosovë po vështirsohet çdo ditë e më shumë. Kjo është si pasojë e numrit të madh të të diplomuarve”, ka përmendur Hoxha për gazetën Infopress.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme