Ben-Meir i jep një “zgjidhje” BE-së për liberalizimin e vizave ndaj kosovarëve

Prishtinë | 01 Jan 2022 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Alon Ben-Meir, profesori i Qendrës për Çështjet Globale në Universitetin e Nju Jorkut dhe anëtar i lartë në Institutin e Politikave Botërore, njëherësh edhe njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, ka paraparë një alternativë për eliminimin e fobisë së vendeve të BE-së ndaj emigrantëve në rastin e Kosovës karshi liberalizimit të vizave.

Ben-Meir, në intervistë me lajmi.net, ka propozuar nga vendet e BE-së që kosovarëve t’u mundësohet vizita për tre muaj, derisa ata që dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë t’i nënshtrohen procedurave të aplikimit për viza.

“Lejimi i liberalizimit të vizave për kosovarët mund të avancojë integrimin e Kosovës në BE. Shqetësimet e se kosovarët do të qëndrojnë në vendet e BE-së dhe nuk do të kthehen në Kosovë mund të eliminohen duke kufizuar qëndrimin për jo më shumë se 3 muaj, teksa çdo kosovar që dëshiron të qëndrojë më gjatë duhet të aplikojë për zgjatjen e vizës. Në këtë mënyrë Kosova do të arrijë një nga qëllimet e saj kryesore të rëndësishme pa krijuar asnjë shqetësim për shtetet anëtare të BE-së që kosovarët të hyjnë dhe të mos kthehen në Kosovë”, ka deklaruar ai, shkruan lajmi.net.

Ai, përveç tjerash, ka kërkuar edhe përfshirjen aktive të Gjermanisë dhe SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, teksa ka kritikuar marrëveshjen e dalë nga Administrata Trump, konkretisht Marrëveshjen e Washingtonit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme