Përgjigja ndaj këtyre katër pyetjeve të thjeshta do të krijojë planin për një markë të fuqishme personale.
Si një ndërmarrës, ju dëshironi të ndërtoni një markë personale e cila shkëlqen. Në themel, ju dëshironi të shiheni. Ju shihni marka tjera me ndjekje besnike, dhe pyesni veten se si mund të arrini edhe ju aty. Ju e dini se mesazhi ose produkti juaj është unik. Ju vetëm dëshironi të shpërndani mesazhin tuaj, të dalloheni nga turma. Ju keni bërë punën e nevojshme, keni kaluar orë të gjata, por ende ndjekja nuk ka filluar. Mund të jetë frustruese. Por jam këtu për të ju treguar se nuk është fundi i rrugës.
Mund të them nga përvoja se ndërtimi i një marke merr kohë dhe durim. Por është e mundur. Për këtë kam mbledhur katër pyetje të thjeshta të cilat duhet t’ia bëni vetes përderisa ndërtoni një markë personale të shkëlqyer.
Kush jeni ju? Vërtetësia ka rëndësi
Kjo këshillë gjithashtu mund të quhet ‘’Udhëzimi i Idiotit për të Qenë Vetvetja’’. Por, seriozisht, fjala vërtetësi përdoret shumë dhe në këtë rast është e duhura. Vërtetësia ka rëndësi. Marka juaj jeni ju. Lexoni atë fjali sërish. Provoni të imitoni markën e dikujt tjetër dhe me shumë gjasa do të dështoni. Zbuloni se çfarë e bën markën tuaj unike dhe tregojani botës. Bota do i përgjigjet pozitës dhe zërit tuaj unik…Meqë ra fjala tek zëri…
Cili është zëri juaj? Ngrisni volumin
Zëri juaj ka rëndësi. Duhet të jetë në përputhje dhe i fokusuar në inspirim. Kanë kaluar ditët e marketingut përmes dhimbjes; kanë ardhur ditët e marketingut përmes mesazhit inspirues. Angazhimi me audiencën tuaj është gjithçka.
Mirëpo, nëse nuk keni lindur nga natyra shkrimtar ose nuk keni kapacitetin e nevojshëm, është e rëndësishme të merrni mbështetje në zgjerimin e ndikimit dhe zërit tuaj.
Ashley Stahl, themeluese e Cake Publishing, për shembull, ndihmon ndërmarrësit të dërgojnë zërin dhe markën e tyre personale në nivelin e radhës duke ofruar shkrimtarë për të krijuar postime blogu, fjalime, sekuenca emaili dhe shumë gjëra të cilat e shndërrojnë audiencën e tyre në konsumatorë. Të punuarit me të tjerët të cilët kuptojnë mesazhin tuaj është një pjesë e rëndësishme e ndërtimit të një marke të suksesshme.
A jeni të besueshëm? Poziciononi veten si një burim i besueshëm
Pse duhet të ju besojnë ndjekësit? A jeni burim i besueshëm në lëndën tuaj? Është koha të bëheni i tillë. Mësoni gjithçka që mundeni për shërbimin ose produktin tuaj të zgjedhur. Kush janë konkurrentët tuaj? Çfarë produkte po vlerëson audienca juaj për momentin? Lexoni vlerësimet, dhe mësoni se çfarë po mungon.
Nëse ndjekësit do ju ndjekin, ata duhet të ju besojnë së pari. Pra bëhuni ekspert në fushën tuaj, e cila do të thotë se ju duhet të bëheni ekspert në shpresat, ëndërrat dhe problemet e konsumatorëve. Ky mirëkuptim dhe dije e thellë iu jep mundësinë të bëheni zëri i fushës tuaj. Kjo do të thotë të bëni kërkime natën vonë, të gjeni një këshillues dhe të mësoni gjithçka që mundeni prej tyre. Çfarëdo që bëni, premtoni vetes se nuk do të ndaloni së mësuari asnjëherë. Siç thonë, dituria është fuqi. Në fund, do të shpaguhet.
Cilët janë shokët tuaj? Fuqia e komunitetit
Si një ndërmarrës dhe ndërtues i markës, ju duhet të mendoni në terme të komunitetit. Shpërndarja e mesazhit tuaj nga shokët dhe konsumatorët do të ndihmojë në ndërtimin e një marke të suksesshme dhe jetëgjatë.
Pra gjeni komunitetin tuaj. ( Në rast se nuk e keni të qartë, po ju sygjeroj të dilni jashtë dhe të kontaktoni me njerëzit në botën e vërtetë). Por sigurisht nuk duhet të harroni fuqinë e mjeteve online. Media sociale është sigurisht njëra prej mjeteve më të fuqishme për ndërtimin e një marke. A jeni aktivë online? A po përdorni zërin dhe vërtetësinë tuaj në një mënyrë të qëllimshme në të gjitha platformat shoqërore? Po në webfaqen tuaj? Nëse nuk keni komunitetin tuaj ende, dilni dhe gjejeni. Filloni sot.
Kjo do të thotë të nisni grupin tuaj në Facebook dhe të ofroni vlerë falas për konsumatorët potencialë. Gjithashtu do të thotë të hapni një llogari në Twitter e cila shton vlerë të jashtëzakonshme dhe angazhon konsumatorët potencialë.
Sigurisht, ky është vetëm fillimi. Siç e përmenda, ndërtimi i një marke merr kohë. Dhe po, merr përpjekje. Por ndjekja e këtyre hapave mund të ju ndihmojë në rrugëtimin tuaj për të ndërtuar markën tuaj personale. Marka juaj duhet të jetë ajo që jeni dhe ajo që keni për t’i dhënë botës. Pra bëni kërkimet tuaja, jini vetvetja, dhe shpërndajeni nëpër botë. Dhe bota do të përgjigjet.