I çmuar për shekuj me radhë për përfitimet e tij në gatim, shëndetësore dhe zbukuruese, vaji i ullirit është një nga produktet më të përdorura nga njerëz në të gjithë botën.
Vaji i ullirit ka qenë në fokus të shumë kërkimeve shkencore për vite me radhë, të cilat kanë vërtetuar se është një ndër ushqimet më të shëndetshme që natyra i ka falur njeriut. Ai është i pasur me lëndë të ndryshme ushqyese, antioksidues, yndyra të pangopura, lëndë ushqyese anti-inflamatore që parandalojnë sëmundje të ndryshme, luftojnë radikalet e lira, ulin nivelin e kolesterolit të keq dhe parandalojnë plakjen e parakohshme.
Por, duhet pasur kujdes në zgjedhjen dhe përdorimin e tij, pasi, sa i mirë është, aq edhe i dëmshëm mund të bëhet nëse nuk e përdorni si duhet. Ja kur nuk duhet ta përdorni vajin e ullirit.
Nëse nuk jeni të sigurt nga vjen
Para se të përdorni vajin e ullirit në gatim ose si produkt bukurie, duhet të siguroheni nëse është ekstra i virgjër.
Ka raste kur vajrat e sojës ose të lulediellit shiten si vaji i ullirit, apo përzihen bashkë. Prandaj duhet të shikoni nëse tek shishja e vajit lexon ekstra i virgjër. Duhet të blini gjithashtu vajin e paketuar në një shishe ngjyrë të errët, duke qenë se drita i shkatërron shumicën e vetive të vajit të ullirit, prandaj kompanitë prestigjioze që merren me prodhimin e vajrave nuk i fusin ato në shishe të tejdukshme.
Nuk duhet ta përdorni për skuqje
Studime të ndryshme kanë vërtetuar se vaji i ullirit i shëndetshëm për zemrën mund të bëhet i dëmshëm nëse nxehet në një temperaturë mbi normalen, që është 320 gradë. Shumë vlera ushqyese, si acidet yndyrore omega 3 dhe antioksiduesit, shkatërrohen nga procesi i ngrohjes.
Për të marrë sa më shumë përfitime nga ai, përdoreni siç është, duke e spërkatur në fund të gatimit apo tek sallatat.
Në skarë
Në shumë receta rekomandohet që të marinohen perimet dhe mishi në vaj ulliri dhe erëza për t’i gatuar më pas në skarë. Ka raste kur rekomandohet edhe që hekurat e skarës të lagen me vaj ulliri për të parandaluar ngjitjen e ushqimit. Vërtetë nuk shkaktohet asnjë dëm nëse e bëni një gjë të tillë, megjithatë mendojmë se nuk është e nevojshme, duke qenë se vaji i ullirit digjet në skarë, fillon të krijojë flakë, madje mund t’u japë edhe shije gazi ushqimeve nëse përdorni skarë me gaz.
Në vend të tij përdorni vaj perimesh dhe sapo ushqimi të jetë gatuar, e spërkatni atë me pak vaj ulliri ekstra të virgjër.
Si produkt për heqjen e akneve në fytyrë
Shumë njerëz betohen për përfitimet e vajit të ullirit si produkt bukurie. Ata e përdorin këtë vaj për zbutjen e flokëve, si maskë për pastrimin e fytyrën, për masazh për trupin etj. Dhe në fakt kanë të drejtë, ky produkt është ideal për kujdesin ndaj lëkurës dhe flokëve. Por, ai nuk duhet të përdoret për heqjen e akneve dhe puçrrave në fytyrë. Vaji i ullirit përmban një përbërës që mbyll poret. Ekspertët rekomandojnë që nëse keni akne ose puçrra në fytyrë, të përdorni vajra të tjera, si vaji i arganit, i livandës, aguliçe etj.