Për të qenë të dëgjuar dhe për t’i shmangur konfliktet, lipset para së gjithash të mësojmë të shprehim nevojat tona. Komunikimi jo i dhunshëm i propozuar nga Marshall Rosenberg, psikolog amerikan, drejtor i qendrës për komunikim jo të dhunshëm në San Francisco (www.cnvc.org), ka si qëllim zgjidhjen paqësore të konflikteve që mund të lindin mes njerëzve.
Janë katër rregulla të thjeshta dhe themelore.
Rregulli 1
Të vëzhgosh çdo gjë që ndodh realisht me ne, në një situatë të dhënë. Që do të thotë të pyesim veten: “Në fjalët ose gjestet e bashkëbiseduesit tim, çfarë më bën të ndihem keq ose mirë?” Por, mësoni të vëzhgoni realitetin pa e gjykuar atë. Marrëdhënia jonë me gjuhën, si dhe edukimi ynë, shpesh na shtyn t’i etiketojmë të tjerët. Për shembull, themi: “Silva punon shumë”. Por, “shumë” është një opinion i yni. Për të shmangur gjykimin dhe për të qenë thjesht vëzhgues i realitetit është më mirë të themi: “Silva rri 12 orë në zyrë”. Kështu, më mirë sesa të themi: “Saimiri është bujar” duhet të themi: “Prej 10 vjetësh Saimiri çon një përqindje të rrogës së tij për bamirësi”.
Rregulli 2
Të shprehësh çfarë provon përballë fjalëve ose gjesteve të tjetrit: “Trishtohem, lumturohem, qetësohem, inatosem”. E rëndësishme është t’i shprehni qartë ndjenjat tuaja. Fundja jo të gjithë janë të aftë të lexojnë mes rreshtave, ndjenjat dhe nevojat e të tjerëve. Më shumë sesa të stërvitim aftësinë për t’u futur në lëkurën e tjetrit, mund të mësojmë të shprehim nevojat tona me qartësi. T’i thuash, për shembull, partnerit: “Kam përshtypjen se ti nuk më do”, nuk shpreh ndjenjat e tua, por ato që i atribuohen bashkëbiseduesit. Nëse përkundrazi përdorni shprehjen: “Nuk e ndjej dashurinë tënde”, i komunikoni partnerit atë që ndjeni vetë, me një gjuhë të qartë dhe të përcaktuar. Në këtë mënyrë ai ka mundësinë të kundërshtojë ose të shpjegojë që në realitet nuk është ashtu siç mendon.
Rregulli 3
Të përcaktosh çfarë nevojash ka në origjinë të këtyre ndjesive. Ndryshe e thënë: Identifikoni nevojat. “Ndodh që njerëzit të bëjnë disa vërejtje që më lëndojnë”, “Më acaron kur vjen me vonesë”, “Më shqetëson që e thua këtë, kam nevojë për respekt”. Këto tri fraza janë mjaft të ndryshme nga njëra-tjetra dhe dy prej tyre janë pak të efektshme për të vënë një komunikim të mirë. Pse? Në rastin e parë nuk e keni përcaktuar ndjenjën, mënyra më e mirë e të shprehurit do të ishte: “Kur njerëzit më bëjnë disa vërejtje, mbetem e çuditur, sepse do të doja të isha e vlerësuar”. Në rastin e dytë mund të ishit shprehur: “Më vjen keq që erdhe me vonesë, do të doja ta kisha kaluar gjithë mbrëmjen me ty”. Rasti i fundit, përkundrazi, e shpreh si ndjenjën e kujt është duke folur (kam nevojë për respekt) dhe merr përsipër përgjegjësinë e ndjenjës (shqetësohem kur e thua këtë).
Rregulli 4
Të pyesësh në mënyrë të përcaktuar dhe konkrete. SHEMBULL: Mamaja e një adoleshenti mund të përshkojë etapat e sapo përshkruara duke i thënë të birit: “Kur i le rrobat nëpër shtëpi, në vend që t’i lesh në vendin e tyre (VEZHGON), më nervozon (SHPREHET), pasi kam nevojë për më shumë rregull në hapësirën e përbashkët.
A mundesh, të lutem (PYET QARTE), t’i marrësh gjërat e tua dhe t’i çosh në dhomën tënde?” Duke ndjekur këto katër pika dhe duke e ndihmuar tjetrin t’i ndjekë, vendosim një komunikim korrekt dhe dashamirës. Në çift, me fëmijët, në punë… gjithandej.