Në kuadër të shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, kanë prezantuar ekspozitën e 40 vajzave kosovare me emrin Saranda, të cilat kanë vizituar qytetin e Sarandës.
I pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Aleksandër Minxhozi i cili u shpreh i kënaqur me vizitën e 40 Sarandave në qytetin e Sarandës.
“Ky ka qenë një ndër aktivitetet më të mira sepse në fokus kishte dy bukuri, vajzat e Kosovës me emrin Saranda dhe bukuritë e qytetit të Sarandës. Kjo ka qenë ndër vizitat më të bukura por shpresoj që nuk do të jetë e fundit. Përmes fotografive jemi munduar të tregojmë jo vetëm bukuritë e vajzave por edhe të qytetit”.
Saranda Bogujevci e cila ishte pjesë e vizitës në qytetin e Sarandës tha se ishte ndër përvojat e saja më të mira.
“Ishte ndër përvojat më të mira, mbledhja e 40 Sarandave dhe vizita në qytetin që mbajmë emrin e tij. Ishte gjithashtu mundësi e mirë t`i vizitonim bukuritë e këtij qyteti”, tha ajo.
Ndërkaq, njëra nga organizatorët e kësaj vizite Saranda Ramaj, tha se vizita në qytetin e Sarandës ishte e veçantë.
“Vizita në qytetin e Sarandës ishte shumë e veçantë. Jam mësuar të raportoj për krim e korrupsion ndërsa vizita në Sarandë ishte ikje nga realiteti”.