Policia e Kosovës që nga fillimi i pandemisë është parë pothuajse në çdo cep të vendit.
Madje, për një kohë të gjatë kanë punuar me orar 12 orësh për të menaxhuar situatën në terren.
Por, jo të gjithë pjesëtarët e Policisë kanë kryer detyrën e tyre me përgjegjshmëri të plotë.
Kjo, pasi që nga janari e deri në shtator të këtij viti në Inspektorat të Policisë së Kosovës janë pranuar 1122 ankesa, ku prej tyre janë duke u hetuar 410 sosh.
Sipas të dhënave të IPK-së, statistikat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policor janë hetuar për sjelljet dhe veprimet e tyre.
“IPK gjatë periudhës nëntë mujore të 2020-ës ka pranuar gjithsej 1122 ankesa, ku prej tyre në Departamentin e Hetimeve -IPK janë dërguar 410 ankesa për hetim penal dhe 5 ankesa janë dërguar për hetime disiplinore, kurse në mungesë të elementeve të veprës penale 703 ankesa janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Policinë e Kosovës (DHBVK) për hetim disiplinor”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare të IPK-së, gjatë periudhës kohore Janar-Shtator, Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar 27 zyrtarë policorë dhe 3 persona të stafit civil.
Ndaj veprimeve të kontestueshme të zyrtarëve policorë, janë suspenduar 55 zyrtarë policorë dhe 3 pjesëtar të stafit civil, ndërsa të transferuar nuk ka pasur asnjë zyrtar policor.
Tutje, Departamenti i Hetimeve gjatë kësaj periudhe kohore ka arrestuar edhe 3 qytetarë.
“Gjatë periudhës kohore nëntë mujore të 2020-ës Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar njëzetë e shtatë (27) zyrtarë policorë dhe tre (03) zyrtarë të PK-së nga stafi civil. Me rekomandim të IPK-së janë suspenduar janë pesëdhjetë e pesë (55) zyrtar policor dhe tre (03) staf civil”, thuhet më tuje në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për FrontOnline.
Sipas IPK-së, në këtë vit për periudhën e njëjtë me atë të vitit të kaluar numri i ankesave është rritur për 92 më shumë.
“Trend i numrit të ankesave është përafërsisht i njëjtë me atë të vitit të kaluar me një ngritje të vogël krahasuar me vitin e kaluar (92 ankesa më shumë këtë vit)”, bëhet e ditur në përgjigjet e IPK-së.
Ndryshe, sipas ligjit të IPK-së, nëse ekziston dyshimi i bazuar se punonjësit e Policisë së Kosovës kanë kryer vepër penale ose shkelje disiplinore dhe prezenca e tyre në punë mund të ndikojë në hetime, IPK rekomandon suspendimin e tyre me pagesë si masë administrative (e jo si ndëshkim ose masë disiplinore) deri në përfundimin e hetimeve dhe në konsultim edhe me prokurorin kompetent.
Që nga fillimi i pandemisë me Covid-19 e deri më tani mbi 800 policë janë infektuar me Coronavirus, ndërsa 10 prej tyre kanë vdekur.
Policia në fillimin e pandemisë ka aplikuar orarin 12 orësh, por që tani është rikthyer në orarin 8 orësh, në përputhje me detyrat që u përcaktohen.