Drejtori i Agjencisë Europiane të Kufijve, FRONTEX, konfirmon faktin se Shqipëria ka hyrë në listën e shteteve nga të cilat kalojnë emigrantët e paligjshëm.
Në një intervistë për Spiegel Online, Fabrice Leggeri, tha se në pjesën e Greqisë veriore në kufi me Shqipërinë për herë të parë do të vendosen 45 oficerë të FRONTEX me qëllim parandalimin e fluksit të emigrantëve.
Ai shton se është identifikuar një rrugë e re që ndjekin refugjatët nga Greqia veriore, përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë.
Në gjuhën teknike të ekspertëve ajo quhet rruga bregdetare e Ballkanit. Ky fakt është theksuar para pak ditësh edhe nga kryeministri Edi Rama.
Me 30 maj, një komisioner i lartë i OKB-së për refugjatët ka konfirmuar shqetësimin e Ramës duke u shprehur se në Shqipëri, gjatë muajve të parë të këtij viti, janë ndaluar rreth 200 emigrantë, ndërsa në Malin e Zi 1200.
11 mijë emigrantë e kanë kaluar detin nga Turqia për të mbërritur në Turqi, gjatë këtij viti.
Në intervistën për mediat gjermane, kreu i FRONTEX thotë se në këto shtete, nëpër të cilat kalojnë emigrantë që vijnë nga vendet me konflikte, si; Siria, Iraku apo disa shtete të Afrikës, mund të vendosen mesatarisht 1500 roje bregdetare në vitin 2018, shifër kjo pesë fish me e lartë se në vitin 2015.
Sipas tij, Komisioni i Bashkimit Europian ka propozuar që FRONTEX të krijojë një trupë prej 10 mijë rojesh bregdetare, deri në vitin 2027.