Katërdhjetë e gjashtë raste të dhunës familjare janë trajtuar nga Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, ndërsa, 21 prej tyre rasteve, janë dërguar në Gjykatë.
Këtë e ka konfirmuar, Basri Kastrati, menaxher i Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Kastrati thotë se për shkak të situatës me pandeminë Coronavirus, po trajtohen vetëm rastet emergjente.
“Fatmirësisht nëse i shohim statistikat gjatë këtyre dy javëve të pandemisë ne si zyre edhe përkundër që i kemi përmbajtur në përgjithësi vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Ndërkombëtar, mbrojtësit e viktimave kanë kujdestaruar 24 orë dhe rastet emergjente që kanë dalë me vendim edhe gjykatat janë proceduar gjatë këtyre dy javëve”.
“…në total kemi pasur 46 raste, prej tyre 45 të dhunës në familje dhe një rast dhunimi, prej tyre kanë shkuar 21 në gjykatë. Edhe veprat e tjera i asistojmë, por për shkak të pandemisë i trajtojmë vetëm ato urgjente”, theksoi Kastrati.
“Zyra për mbrojtje të viktimave si zakonisht është pjesë e kryeprokurorit të shtetit me mandate ekskluzive përfaqësimit të viktimave në sistemin e drejtësisë penale në Kosovë. Nga viti në vit kemi raste të dhunës në familje”.
Teksa ka folur për këtë dukuri, Kastrati thotë se 1 313 kanë qenë raste të dhunës në familje, nga 1 562 sa janë në total.
“Nëse i krahasojmë tre vjetët e fundit, sidomos në dy vjetët e fundit kemi një numër afro 300 raste më shumë dhe nga 1 562 raste në total, rreth 1 313 kanë qenë raste të dhunës në familje. Kjo tregon përkushtimin e institucioneve dhe besimin e viktimave në këto institucione por në të njëjtën kohë edhe në vetëdijen e qytetarëve që të kërkojnë ndihmë nga zyrat tona”, shtoi Kastrati.
Kastrati ka thënë se Kompensimi i viktimave ka filluar vonë të implementohet në Kosovës, por sipas tij, deri më tani 30 raste janë kompensuar nga shteti, teksa ka thënë se për këtë vit, ende nuk ka ndonjë kërkesë të tillë.
Ai tregon edhe rastet se kur shteti i kompenson viktimat.
“Nga janari kanë qenë 135 raste të dhunë në familje poashtu në shkurt kemi numër të ngjashëm, mirëpo nga 20 marsi janë 46 raste që janë trajtuar nga zyra jonë. Këto raste në këtë kohë të pandemisë janë vetëm ato të natyrave emergjente të dhunës në familje. Kemi vetëm një rast që viktima është tërhequr për shkaqe personale”, deklaroi Kastrati.
“Kompensimi i viktimave ka filluar vonë, por për një shtet si Kosova është duke ecur mirë, mirëpo sipas Ministrisë së Drejtësisë vitin e kaluar numri i rasteve të kompensimit ka qenë 30. Nuk ka kërkesa që janë trajtuar këtë vit”.
“Janë gjashtë vepra penale që kompensohen, janë viktimat e trafikimit, viktimat e vrasjeve, viktimat e dhunës në familje kur ato arrijnë të dëshmojnë. Ka qenë një rast i vrasjes në pjesën veriore të Mitrovicës që është kompensuar ku përfaqësojmë viktimat në atë regjion dhe raste të tjera vijnë në kuadër të ligjit për kompensim”, ka thënë ai.
“Ne kemi menduar vetëm për gjashtë vepra për shkak të buxhetit, mirëpo buxheti ka ndarë mjete të mjaftueshme dhe me këtë rast duhet edhe të ndryshohet ligji të plotësohet për shkak të zgjerimit të veprave penale që do të kompensohet”, shtoi ai.