Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga vd.ekja e tij, Enver Hoxha vazhdon të jetë një personazh enigmatik.
Jeta e shqiptarit më të rëndësishëm të shekullit XX është e mbushur plot me mistere dhe kontradikta. Edhe pse ishte një ndër njerëzit më të lexuar, Enver Hoxha ngriti një nga diktaturat më brutale në Shqipëri. Fakti më rrënqethës është se gjatë regjimit të tij janë ekzekutuar 6 027 njerëz, janë burgosur 17 650 dhe janë internuar mbi 20 mijë persona.
Gjatë periudhës që ai drejtoi shtetin shqiptar janë vrarë 10 ministra, janë ekzekutuar, burgosur dhe internuar 20 gjeneralë të ushtrisë shqiptare. Si dhe nga krijimi i Partisë Komuniste në vitin 1941 e deri në vitin 1985, 41 drejtues të kësaj partie janë ekzekutuar, burgosur dhe internuar. “Tirana Observer” boton sot 50 fakte nga jeta e Enver Hoxhës. Që nga propozimi i çuditshëm ndaj Nexhmije Hoxhës, te pasionet, gjërat që urrente më shumë e deri te eliminimet e shokëve të tij më të ngushtë.
1- Diktatori Enver Hoxha lindi më 16 tetor të vitit 1908, në qytetin e Gjirokastrës.
Ai kishte një vëlla dhe dy motra. Ish-diktatori komunist jetoi 76 vjet, 5 muaj e 26 ditë. Enver Hoxha vdiq në 11 prill 1985.
2- Sipas raportit të mjekëve, Hoxha vdiq si pasojë e një ataku në zemër dhe pësoi gjendje koma që në datën 9 prill. Pas dy ditësh atij nuk i funksionoi asnjë organ jetësor duke i sjellë vdekjen.
3- Familja e Hoxhës ishte pronare tokash në Gjirokastër dhe në zonën e Dropullit. Ata ishin të besimit islam dhe i përkisnin sektit bektashinj.
4- Në vitin 1930 Hoxha përfundoi Liceun Francez në qytetin e Korçës me rezultate të larta. Sipas dëshmive, ai ishte nxënës me sjellje të shkëlqyer.
5- Qeveria shqiptare e Ahmet Zogut i dha në vitin 1931 një bursë studimi në universitetin e Montepeljes në Francë, të cilën ai e la përgjysmë. Në Francë shkroi disa artikuj në gazetën “L’Humanite” me pseudonimin Lulo Malësori, ku denonconte qeverinë e Zogut.
6- Diktatori komunist ka jetuar për gati pesë vjet në disa shtete perëndimore. Por më shumë ai ka jetuar në Francë dhe Belgjikë. Ai shkoi në Bruksel dhe filloi punë atje si sekretar privat i konsullit të Shqipërisë. Sipas biografisë komuniste për shkak të veprimtarisë antizogiste ai shkarkohet nga puna.
7- Në vitin 1936 kthehet në Shqipëri dhe fillon punë si profesor i frëngjishtes në Liceun Francez të Korçës. Pas pushtimit, në vitin 1939 pushohet nga puna se nuk pranoi të regjistrohej në Partinë Fashiste.
8- Më 8 nëntor 1941, ai mori pjesë në mbledhjen e grupeve komuniste dhe ishte dhe ishte një nga themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare.
9- Në vitin 1942, një trup gjykues i Gjykatës Fashiste në Tiranë e dënoi me vdekje në mungesë kryetarin e PKSH-së, Enver Hoxhën. Enver Hoxha ishte një nga themeluesit e gazetës “Zëri i Popullit”. Ajo u themelua në gusht të vitit 1942 dhe ishte organ i Partisë Komuniste Shqiptare.
10- Prej 7 anëtarëve të Komitetit Qendror të Përkohshëm të Partisë Komuniste të krijuar në vitin 1941, vetëm Enver Hoxha mbeti gjallë pas çlirimit, të tjerët, u vranë ose u burgosën.
11- Një nga misteret e mëdha të Enver Hoxhës është padyshim dhe ardhja e tij në krye të Partisë Komuniste më 8 nëntor 1941. Në mbledhje ai nuk u caktua të ishte drejtues, ndërkohë që më parë del si lider i komunistëve. Disa historianë thonë se ishte ndikimi i jugosllavëve Miladin Popoviç e Dushan Mugosha në ngritjen e tij. Blendi Fevvziu në librin e tij për ish-diktatorin shkruan se prezenca e Enver Hoxhës në mbledhjen e themelimit të Partisë lidhet vetëm me Koço Tashkon. Miladin Popoviçi i kishte thënë se të pestë anëtarët e Grupit Komunist të Korçës ishin ortodoksë dhe duhej që patjetër të ishte edhe një mysliman. Kështu Tashko mori Enverin.
12- Vr,asja e Qemal Stafës është një pjesë e errët e historisë së Enver Hoxhës. Edhe pse ish-sekretari i Rinisë Komuniste u vra nga pushtuesit enigmë, kanë ngelur arsyet e urdhrit ndaj tij për të shkuar në Vlorë në 5 maj të vitit 1942.
13- Megjithëse Mbledhja e Mukjes që u mbajt në më 1 gusht 1943, mund të quhet si Parlamenti i Parë Pluralist, ajo u dënua rëndë nga Enver Hoxha, pasi u quajt tradhti. Ymer Dishnica dhe Mustafa Gjinishi do të merrnin dënime të rënda pas Mbledhjes së Mukjes. Enver Hoxha i nxitur nga jugosllavët nuk e miratoi takimin e tyre me eksponentët e Ballit Kombëtar.
14- Ish-diktatori komunist i ka shpëtuar për pak një tentative për vr,asje në prill të vitit 1994 në Helmës. Një oficer gjerman i zënë rob arriti të merrte një automatik dhe të rrezikonte seriozisht jetën e Hoxhës.
15- Në mars 1943, në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste u zgjodh Sekretar i Partisë. Këtë funksion e mbajti deri në vdekje. Më 22 tetor 1994, Konferenca e Beratit vendosi krijimin e qeverisë së pavarur shqiptare. Në krye të qeverisë u caktua Enver Hoxha. Në maj të vitit 1944, Enver Hoxha emërohet Komandant i Shtabit Suprem. Ai zëvëndësoi në këtë post ushtarakun e lartë, Spiro Moiusiun.
16- Udhëheqësi komunist u martuar me Nexhmije Xhuglinin nga Dibra më 1 janar të vitit 1945. Nga martesa ata patën tre fëmijë dhe më pas shtatë nipër e mbesa.
17- Në vitin 1946, denoncoi misionin anglez dhe atë amerikan në Shqipëri se bashkëpunonin me kundërshtarët e tij për të rrëzuar regjimin komunist. Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së e Anglisë u ndërprenë në vitin 1946, pas incidentit të Kanalit të Korfuzit.
18- Të parën vizitë jashtë vendit Enver Hoxha e bëri në qershor të vitit 1946, në Jugosllavi, ku takua me Josif Broz Tito. Enver Hoxha është akuzuar nga nacionalistët se ia shiti Kosovën Jugosllavisë. Ndërsa Enver Hoxha në kujtime e tij deklaronte se kishte bërë përpjekjet maksimale për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Madje që këtë ia kishte kërkuar edhe vetë Titos.
19- Hoxha ma mbajtur postin e ministrit të Mbrojtjes në vitin 1944, të Ministrit të Punëve të Jashtme në vitet 1946-1953 dhe të Kryeministrit në vitet 1944-1954.
20- Pas Çlirimit, në vitin 194, Enver Hoxha krijoi Gjykatën Speciale, e cila dënoi me vdekje qindra intelektualë të asa kohe, ndërmjet tyre edhe Bahri Omari, kunati i Hoxhës. 16 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë u ekzekutuan më 10 tetor 1947 nga regjimi komunist. Akuza ndaj tyre ishte se donin të rrëzonin regjimin komunist.
21- Për herë të parë në arenën ndërkombëtare, Enver Hoxha doli në gusht të vitit 1946, kur mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, si kryetar i qeverisë shqiptare. Për herë të parë Enver Hoxha e ka takuar diktatorin rus Josif Stalin në korrik të vitit 1947, pas një ftesë që i bën për një vizitë në Bashkimin Sovjetik. Pesë herë është takuar udhëheqësi komunist me Stalinin. Për herë të fundit ai është takuar në prill të vitit 1951.
22- Takimin e parë me Nikita Hrushovin, drejtuesi i Partisë Komuniste Enver Hoxha e bëri në në qershor të vitit 1954 në Moskë. Në maj të vitit 1959, drejtuesi i Bashkimit Sovjetik Nikita Hrushov viziton Shqipërinë, duke u bërë i pari kryetar shteti i BS që viziton vendin tonë.
23- Enver Hoxha e ka vizituar vetëm njëherë Kinën në vitin 1956 dhe është takuar njëherë me Mao Ce Dunin. Udhëtimi i fundit që ka kryer jashtë vendi Enver Hoxha ka qenë në vitin 1960, në Mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë.
24- Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë. është hedhur dyshimi se sovjetikët kishin bërë një plan për të eliminuar Enver Hoxhën. Për këtë arsye, diktatori komunist u kthye deri në Itali me tren dhe më pas me avion. Një nga arsyet e prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ishte se Moska i kërkoi Tiranës të rehabilitonte shqiptarët që ishin dënuar pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë.
25- Shqipëria u bë pjesë e Traktatit të Varshavës në vitin 1955. Në vitin 1962, Tirana del de facto nga ky traktat dhe de jure në vitin 1968. Shqipëria bëhej vendi i parë që largohej nga ky traktat që ishte një rivalitet i Moskës ndaj NATO-s. Pas prishjes së marrëdhënieve më sovjetikët në vitin 1960, Enver Hoxha dënoi dy nga drejtuesit e Partisë së Punës, Liri Belishovën dhe Koço Tashkon, me akuzën si bashkëpunëtorë të Nikita Hrushovit.
26- Gjatë regjimit të Enver Hoxhës, në vitet 1945-1946 në Shqipëri u krye Reforma Agrare. Një reformë kjo që bëri pronarë tokash shumicën e fshatarësisë, por që ua mori me dhunë pronarëve duke i shpronësuar. Gjatë regjimit të Hoxhës, u bë kolektivizmi i pronës. U zhduk prona private, fshatrat u kthyen në kooperativa, kurse ndërmarrjet e vogla private u shtetëzuan.
27- Në 27 dhjetor 1967, Shqipëria u bë shteti i vetëm në botë ateist. U ndalua besimi në Zot dhe praktikimi i feve. U shkatërruan 2200 kisha dhe xhami që ndodheshin në vendin tonë.
28- Nga krijimi i qeverisë të pasluftës e deri në vitin 1981, të gjithë ministrat e Brendshëm: Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu dhe Feçorr Shehu, janë akuzuar nga Hoxha si agjentë të të huajve. Shefi i truprojave të Enver Hoxhës ishte Sulo Gradeci. Ky i fundit i shërbeu Hoxhës për 30 vite duke qenë kështu edhe njeriu më i besuar i diktatorit.
29- Gjatë periudhës së tij si drejtues i Partisë së Punës, Enver Hoxha ka pasur vetëm dy aksidente të vogla me makinë, por pa rrezik për jetën. Shërbimet sekrete të huaja, por edhe individë brenda vendit, kanë ndërmarrë aksione për vra,sjen e Hoxhës. Por zyrtarisht që nga marrja e pushtetit e derisa vdiq nuk njihet asnjë atentat i kryer ndaj tij.
30- Sëmundja e tij u mbajt e fshehtë për një kohë të caktuar. Enveri kishte pasur dy hemorragji cerebrale, më 1983-in dhe 1984-ën, kishte humbur gati krejtësisht sytë në mënyrë të pakthyeshme, ndërkohë që dy ditë para vdekjes kishte kaluar edhe infarkt. Tashmë është shkruar mjaft për faktin se diabeti i rëndë kishte ndikuar në këtë fund të keq. Humbja progresive e mundësive të tij fizike dhe intelektuale nuk zbuti aspak pushtetin e tij të tmerrshëm, atë pushtet, që njerëzit e tij të afërm, me një fshehtësi gjithnjë e më të madhe, e ruanin deri në absurditet, duke shkaktuar situata tragjike. Më 11 prill të 1985 Enver Hoxha deklarohet zyrtarisht i vdekur. Ceremonia e tij u shoqërua me homazhe madhështore, sa në psikozën e njerëzve u duk se nga ai moment e pas Shqipëria nuk do të kishte më të ardhme.
31- Plot 40 vjet jetoi Enver Hoxha në zonën e ish-Bllokut. Ai u vendos aty në vitin 1945, në një vilë së bashku me Koçi Xoxen, por shumë shpejt lëvizi në një tjetër vilë. Ish-diktatori komunist kishte shtëpi pushimi pothuajse në të gjitha qytetet më të rëndësishme të vendit. Por dy vendet që ai preferonte më shumë të kalonte pushimet ishte Driloni në Pogradec dhe Vlora.
32- Enver Hoxha ka udhëtuar rrallë me mjetet e transportit ajror. Me avion, Hoxha ka udhëtuar drejt Moskës dhe Pekinit, kurse me helikopter vetëm disa herë brenda Shqipërisë. Mungesa e udhëtimeve vinte edhe si shkak i izolimit të Shqipërisë nga bota.
33- Hoxha e niste ditën duke lexuar të gjitha gazetat. Çdo mëngjes atij i linin mbi tavolinë të gjitha gazetat e vendit, madje edhe ato lokale. Ndërkohë që ai lexonte edhe shtypin ndërkombëtar, veçanërisht prestigjiozen franceze “Le Monde”.
34- Është i vërtetuar fakti se udhëheqësi komunist ka lëvizur me sozi gjatë vizitave që ai bënte në qytete të ndryshme të vendit. Hoxha ka pasur katër sozi. Për sigurimin e jetës së Enver Hoxhës, në udhëtimet jashtë Tiranës, sidomos gjatë pushimeve në malin e “Dajtit”, në vilat e plazhit të Durrësit, në Vlorë, Pogradec ose vizita të ndryshme të vendit, mobilizohej Drejtoria e dytë ose drejtoria e “sigurimit të Udhëheqjes”, Garda dhe grupi i sigurimit të afërt. Byroja Politike kishte hartuar një rregullore të posaçme, e cila detyronte të gjitha Degët e Punëve të Brendshme në rrethet ku do të kalonte autokolona, të qëndronin në gatishmëri numër një, 24 orë përpara dhe për disa orë me pas, bllokohej qarkullimi i automjeteve në rruge.
35- Ajo që është e vërtetë në të gjithë këtë histori, është fakti se sozitë e tij, më së shumti ishin manekinë, pra njerëz që mbanin veshur brenda makinës gjatë udhëtimit, vetëm rrobat e tij. Sozitë Halim Zano, Axhem Abazi, Kadri Bregu e Qazim Malaj nuk kane “luajtur” kurrë Enver Hoxhën jashtë hapësirës së brendshme të “Mercedezit” të zi. Megjithëse askush nuk e pranon këtë fakt zyrtarisht, ai ruhet ende, madje me fanatizëm, si një nga shumë enigmat që kanë shoqëruar regjimin komunist në Shqipëri.
36- Por, për të kuptuar më së miri detyrën specifike ekstra të katër sozive të diktatorit, mjafton të përmendet një fakt i panjohur: Megjithëse ata kanë siguruar në 46 vjet pa ndërprerje jetën e Hoxhës, në dhjetëra e qindra dalje të tij në publik, portreti i tyre nuk figuron në asnjë prej mijëra fotografive të publikuara të ish kreut të shtetit. Madje as në njërën nga fotot e albumit të madh e luksoz të botuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Enverit.
37- Gjatë sundimit të tij janë dënuar 29 ministra, zëvendësministra dhe drejtues të Partisë së Punës, shumica me akuzën si agjentë të shërbimeve sekrete të huaja. Gjatë 41 viteve të regjimit të tij janë vrarë 9 ministra të qeverive të asaj kohe dhe një kryeministër. Vd.ekja e Mehmet Shehut u cilësua si vetëvr,asje, por në fakt la shumë dyshime dhe mistere. Gjatë sundimit të tij, 22 gjeneralë të ushtrisë shqiptare janë ekzekutuar, persekutuar dhe dënuar me shumë vite burgim.
38- Gjatë sundimit të tij janë ekzekutuar për arsye politike, si armiq të pushtetit ose si bashkëpunëtorë te shërbimeve të huaja 6027 persona. Gjatë regjimit të Enver Hoxhës janë janë burgosur 17 650 persona, nga të cilët, 1065 persona kaba vdekur nëpër burgjet e tmerrshme komuniste.
39- Enver Hoxha fliste rrjedhshëm frëngjisht, por njëkohësisht njihte disa gjuhë të huaja, si italisht, serbo-kroatisht, rusisht dhe anglisht. Shkrimtarët më të preferuar të Hoxhës ishin Molieri, Gëte dhe Bajronin.
40- Ai kishte rreth 45 mijë libra. Shumica e tyre ishin libra enciklopedikë Laruse, albume e shumë të tjera, kryesisht në gjuhën franceze. Pas viteve ’90 shumica e tyre u shkatërruan dhe familja e tij mori vetëm një pjesë të vogël.
41- Enver Hoxha e pasuronte vazhdimisht bibliotekën e tij private me publikimet më të fundit të ardhura nga Franca. Sipas Blendi Fevziut, materialet që ai importonte për të lexuar nuk kufizoheshin në traktatet e fryra për Marksizëm-Leninizmin. Shija e Hoxhës për librat ishte e gjerë. Ai porosiste libra mbi jetën e Papëve dhe shenjtëve të tjerë katolikë, e madje edhe libra për vampirët, çuditërisht, mes tematikave të tjera.
42- Enver Hoxha e kishte pasion gjuetinë, por asnjëherë nuk është shquar në ushtrimin e këtij sporti. Dëshmitarë të asaj kohe tregojnë se ai shkonte për gjah kur e thërrisnin Mehmeti dhe Kadriu.
43- Sipas Nexhmije Hoxhës, gjëja që urrente më shumë Enver Hoxha, ishin borxhet. “E kishte në gjak zakonin e Gjirokastrës, borxhin nuk e donte, e dinte që borxhi të bënte skllav. Edhe për Titon ashtu thoshte. Kosovarët kanë bërë kaq borxhe me të, madje ata kanë thënë, qan fëmija në bark të nënës, pra kur do t’i paguajnë këto borxhe”. ka thënë Nexhmija Hoxha në intervistën e fundit për Rudina Xhungën.
44- Nexhmija Hoxha në një intervistë të dhënë për Rudina Xhungën ka deklaruar dhe se e propozoi Enver Hoxha në qershor të vitit 1942.
“Kështu që një ditë, kur Enveri e pa që unë nuk merrja vesh ose bëja sikur, vendosi të flasë vetë. Një ditë vere më tha, po shtrihem të fle, më zgjo në orën 5. Unë shkova ta zgjoj, por ai në fakt nuk kishte fjetur, ndoshta kishte ndenjur për të marrë vendimin e tij. Aty më bëri propozimin për martesë, një propozim aq prozaik, sa nuk e kisha menduar kurrë. Ai, përpara se të më thoshte shprehimisht të dua, më tha, tek po bëja kafenë që më kishte kërkuar:- “Unë dua të martohem me ty”. Unë ngriva, mbeta aty, duke bërë kafenë, e nuk po lëvizja, ndërsa ai më thotë:- “Po, hë, supë po bën? Ulu këtu se nuk të ha!”, domethënë, u mundua të më shkrifëronte pak. Me kokën ulur, i thashë:- “Unë nuk martohem gjatë luftës”. “Po kush tha që do martohemi në luftë”, -tha ai. “Në fillim do u themi miqve, por mendohu mirë, se ti je e re e kemi diferencë moshe”. Pastaj vazhdoi:- “Por unë nuk mund ta zgjas shumë, se aneja pret, ngaqë jam djalë i vetëm”. Unë nuk iu përgjigja në atë kohë, por kaloi nja një muaj e pak dhe pastaj i ktheva përgjigje:- “Diga e ideve të mia u thye”.
45- Në biografinë që i ka bërë ish-diktatorit, Blendi Fevziu e përshkruan Hoxhën si një psikopat paranojak, me shumë pak ose aspak tipare pendese, që së bashku me gruan e tij organizuan vdekjen e shpejtë të cilitdo që hyri në rrugën e tyre. Në vitet e tij të fundit, shkruan Fevziu, Hoxha jetoi papritmas një jetë të vetmuar, sepse deri në atë kohë ai kishte vrarë shumë nga shokët e tij të luftës, sa që vështirë që tani të kishte dikë me të cilin të bisedonte.
46- Udhëheqësi komunist e pësoi infarktin e parë në vitin 1972. Për gati dy vjet iu nënshtruar mjekimeve të shumta dhe gjendja e tij u përmirësua në vitin 1974.
47- Ai u varros në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Por në maj të vitit 1992 u zhvarros për t’u vendosur në varrezat e Sharrës. Organizata e Kombeve të Bashkuara në muajin prill të vitit 1985 mbajti një minutë heshtje për vdekjen e Enver Hoxhës.
48- Ish-diktatori komunist u varros në arkivol. Ai e kishte lënë amanet që trupi i tij të mos balsamosej si Lenini. Është zbuluare se gjatë ditës së homazheve atij iu përgatit një maskë mortore për fytyrën.
49- Gjatë kohës së Luftës, për t’i shpëtuar ndjekjes së fashistëve, Enver Hoxha ka mbajtur disa pseudonime, si: Tarasi, Hasani, Saliu, Malo, Valbona dhe Shpati. Dy pseudonimet e fundit ua vuri si emra mbesës dhe nipit të tij.
50- Enver Hoxha është i vetmi personalitet shqiptar i përfshirë ne Enciklopedinë Botërore të vitit 2005. Emri i tij shënohet në faqen 430, aty ku sipas rendit alfabetik vjen shkronja H. Historiani Bernd Fisher e ka cilësuar Enver Hoxhën si shqiptarin më me ndikim të shekullit XX./ Tirana Observer/