Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr), për herë të parë në sistemin formal të arsimit në Kosovë kanë prezantuar nivelin e 5-të të kualifikimit “Asistent për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore”.
Kualifikimi i këtij niveli ofrohet për 50 kandidatë të ndarë në dy grupe. Për njërin grup ky kualifikim ofrohet në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj ndërsa për tjetrin në Qendrën Burimore Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Fikrie Zymberi, ushtrues e detyrës së drejtoreshës së Agjencionit për arsim dhe aftësim profesional dhe Arsim për të Rritur ka deklaruar se kualifikimi u jep kandidatëve mundësin për të zhvilluar njohurin specifik.
“Asistent për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore, u jep kandidatit një mundësin për të zhvilluar njohurin me rol specifik dhe më gjerë teknik përmes studimit të rolit të asistentit për nevoja të veçanta në shkolla speciale me individë, grupe të vogla, klasat e bashkangjitura dhe klasat në shkollat e rregullta për nxënësit me nevoja të veçanta”, tha ajo.
Lulavere Behluli, udhëheqëse e divizionit për arsimin e nxënësve me nevoja të veçanta në MAShT, tha se diplomat që do të merren do të njihen edhe në nivel ndërkombëtar, raporton EO.
“Ne kemi punuar për një kohë të gjatë për ditën e sotme dhe ka qenë punë që ka dalë si pasoj e nevojave që kemi pasi mungojnë kuadro. Programi ofron çdo gjë dhe shpresojmë që edhe realizimi të jetë në nivel po aq të duhur si programi. Diplomat që ju do të merrni do të njihen në nivel ndërkombëtar prandaj po aq sa programi është i njohur ju duhet të keni parasysh që rregullat janë shumë strikte dhe kalimi nga moduli në modul duhet të plotësohen kriteret pra pa treguar sukses nuk mund ta merrni diplomën”, sqaroi Behluli.
Mësimi fillon në javën e ardhshme.