Në 24 orët e fundit, në rrugët e Kosovës janë regjistruar gjithsejtë 57 aksidente, sipas raportit të Policisë së Kosovës.
Në krahasim me 24 orëshin e kaluar, vërehet se ka një rënie të këtyre shifrave duke qenë se një ditë më parë, Policia njoftoi për gjithsejtë 76 aksidente, e që i bie 19 më shumë.
Megjithatë, brenda 24 orëve të fundit është regjistruar edhe një aksident me fatalitet, i ndodhur në fshatin Fshaj të Komunës së Gjakovës.
Raportohet se i dyshuari, mashkull K/Rom, duke lëvizur me veturën e tij civile, nga pakujdesia ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në mbrojtësin e rrugës dhe si pasojë lëndime trupore kanë pësuar ngasësi dhe pasagjeri.
Policia raporton se pasagjeri, mashkull K-Rom, nuk ia ka dalë që t’iu mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion.
I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Gjakovës dhe është nën mbikëqyrje të Policisë.
Në raport të Policisë raportohet edhe për 1292 tiketa trafiku të shqiptuara, 22 arrestime dhe 9 persona që janë ndaluar në mbajtje.