Kosova është duke hyrë në pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes që zhvillohet në kuadër të institucioneve të BE-së, lidhur me procesin e liberalizmit të vizave.
Mbledhja e Këshillit të BE-së e fundit për këtë vit në përbërje të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë është më 6-7 dhjetor. Ky takim është kritik për ta jetësuar lëvizjen e lirë të qytetareve tonë.
Sipas Institutit EPIK, lufta e vërtete diplomatike duhet të koncentrohet tek vendet kryesore të BE-së të cilat kanë hezitime për të votuar pro liberalizimit të vizave, e që në bazë të votimit në Parlamentin Evropian, kemi parë që bëhet fjalë për Holandën, Francën dhe Gjermaninë.
“Andaj sa i përket datës së saktë të lëvizjes së lirë, Instituti EPIK i fton të gjithë përfaqësuesit institucional që të janë të përmbajtur rreth afateve për liberalizimin e vizave dhe të mos rrisin pritshmëri joreale tek qytetaret për një çështje kaq të ndjeshme për ta,” thuhet në komunikatë.
Në veçanti, duhet nënvizuar se bazuar në dinamikat e liberalizmit të vizave të dy vendeve të fundit që kanë përfituar nga ky proces: Gjeorgjia dhe Ukraina, sot mund konfirmohet me siguri që lëvizja e lirë për Kosovën është e pamundur të bëhet deri në fund të këtij viti.
Instituti EPIK, konsideron se skenari më pozitiv i mundshëm është që vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave të përfundoj këtë vit, ndërsa qytetarët të lëvizin lirshëm në vitin 2019.
Në rast të një skenari negativ, apo shtyrjes së vendimmarrjes për vitin 2019, Instituti EPIK vlerëson se procesi i liberalizimit të vizave do të hyjë me një rrugë shumë komplekse me pasoja të paparashikueshme. Mjedisi politik në kuadër të BE-së do të komplikohet në veçanti për shkak të (1) fillimit të Presidencës Rumune shtet ky jo-njohës i Kosovës, (2) intensifikimit të përgatitjeve për zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe (3) BREXIT-it.
Njëkohësisht Instituti EPIK, nënvizon nevojën urgjente për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, i cili është kusht themelor i procesit të integrimit dhe liberalizmit të vizave. Pa drejtësi të pavarur, efikase transparente me njerëz me kredibilitet nuk mund të bindim asnjë kryeqytet të BE-së që ne jemi vende i denjë për të qenë pjesë e klubit evropian. Së fundi, draft-rezoluta e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, AFET, ritheksoj ngecjet në fushën e sundimit të ligjit. Shprehim shqetësim të thellë për faktin se ende nga 44 raste të shënjestruara nuk ka asnjë rast të vetëm të profilit të lartë të korrupsionit të dënuar në shkallën përfundimtare.
Në fund, Instituti EPIK ka përcjellë nga afër deklaratat e fundit të udhëheqësve institucional të cilët kanë përdorë një gjuhë fajësuese ndaj BE-së në rast mos-liberalizimit të vizave deri në fund të vitit.
EPIK rikujton se asnjë përfaqësues i institucioneve të BE-së, asnjëherë, nuk ka dhënë afate kohore të sakta për liberalizimin e vizave. Janë vetë përfaqësuesit institucional të Kosovës të cilët kanë ofruar premtime të paqëndrueshme kohore për liberalizimin e vizave.
Prandaj, ftojmë përsëri të gjithë përfaqësuesit institucional që të janë të përmbajtur rreth afateve për liberalizimin e vizave dhe te mos rrisin pritshmëri tek qytetaret për një çështje kaq të ndjeshme për qytetarët tonë. Instituti EPIK e konsideron të papranueshme çfarëdo gjuhe fajësuese ndaj partnerëve strategjik ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.
Në fund, Instituti EPIK inkurajon institucionet e BE-së që për hirë të qytetarëve tanë së paku të përfundojë procedura vendimmarrëse brenda institucioneve të BE-së deri në fund te këtij viti.