Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 6 muaj burgim efektiv të akuzuarin S.A., lidhur me akuzën për arratisjen nga Klinika e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), derisa ishte i privuar nga liria.
Aktgjykimi në fjalë u shpall të premten nga gjykatësja e rastit, Naime Krasniqi-Jashanica, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve do të ekzekutohet brenda afatit prej 15 ditësh, pasi që ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.
I akuzuari është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro si dhe 20 euro tjera për Fondin e kompensimit të viktimave të krimit.
Kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk pati, ndërsa palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shtator 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, S.A., akuzohej se më 13 korrik 2023 derisa i njëjti dhe vëllai i tij M.A., ishin në qendrën e mbajtjes në Prishtinë si të dyshuar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” që kishte ndodhur një ditë më parë (12 korrik 2023), të njëjtit kërkojnë ndihmë mjekësore dhe sipas rekomandimeve të Ekipit të Urgjencës dërgohen në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.
Më pas, aktakuza thotë se pasi që të akuzuarit S.A., me kërkesë të mjekut i hiqen prangat, i njëjti kërkon të shkojë në tualet dhe sapo del në korridor fillon të vrapojë me shpejtësi të madhe duke dalë jashtë, ashtu që arrin të largohet fillimisht në drejtim të Rrethit me Flamur, e më pas niset në drejtim të Fushë-Kosovës.
Me këto veprime, S.A., akuzohej se ka kryer veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria”, nga neni 397, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).