Gërhitja, gjak nga mishrat e dhëmbëve apo dhe probleme në marrëdhëniet intime konsiderohen zakonisht si probleme të lehta shëndetësore.
Për këtë arsye, pjesa më e madhe e njerëzve kanë tendencën t’i injorojnë ato. Megjithatë, këto probleme në dukje të pa rëndësishme, janë në fakt simptomat më të zakonshme të sëmundjeve të zemrës, arsyeja numër një e vdekjeve në botë.
Kur zemra dhe arteriet fillojnë dështojnë/të mos funksionojnë siç duhet, simptomat manifestohen në pjesë të tjera të trupit. Kështu shprehet për “DailyMail”, Dr. John Erwin, kardiolog në Qendrën Shkencore të Shëndetit në Texas.
Eksperti zbulon 6 simptomat më të zakonshme dhe në të njëjtën kohë suprizuese, të sëmundjeve të zemrës, të cilat sipas tij, nuk duhet neglizhuar.
Të qenit në dijeni të tyre mund të çojë në kapjen në kohë të sëmundjes.
Simptoma 1: Problemet seksuale
Shumë, mendojnë se çrregullimet seksuale vijnë si pasojë e probleme të organeve riprodhuese ose të trurit. Megjithatë, sidomos tek meshkujt, disfunksioni seksual është simptomë e zakonshme e sëmundjes së arterieve.
Simptoma 2 : Gërhitja ose apnea e gjumit
Pak janë gjërat më frustruese në jetë sesa të përpiqesh të flesh krah një personi që gërhet. Pavarësisht bezdisë, Dr. Erwin thotë se në fakt, gërhitja mund të tregojë se vuani nga zemra.
Ajo është e zakonshme tek ata që vuajnë nga apnea e gjumit ( një periudhë kohore gjatë gjumit ku njeriu resht së marri frymë)
Sipas Dr Erwin, kjo e fundit lidhet me ndryshime të ndryshme fiziologjike, që shtojnë rrezikun e prekjes nga infarkti në zemër dhe goditja në tru.
Gërhitja mund të jetë gjithashtu tregues i dridhjes atriale, që është një rrahje e çrregullt e zemrës, shpesh shumë e shpejtë dhe që shkakton hemorragji. Ndaj, kapja dhe trajtimi në kohë i apneas së gjumit mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Simptoma 3: Gjakderdhje, enjtje ose mishra dhëmbësh të lënduar
Janë të paktë ata që mund t’i shkojë në mendje se problemet me mishrat e dhëmbëve mund të lidhen me sëmundje të zemrës, por sipas ekspertit, kjo është një simptomë që tregon se mund të vuani nga periodontis.
Ky i fundit është një infeksion tepër serioz i mishrave, që i dëmton ato dhe shkatërron kockat e nofullës. Periodontis mund të çojë në inflamacion të lartë në të gjithë trupin. Dhe pikërisht ky aktivitet i tepërt inflamacioni, sipas Dr. Erwein, është një rrezik i lartë për zhvillimin e aterosklerozës dhe të infarktit.
Ndaj është e rëndësishme që të kryeni vizita të vazhdueshme te dentisti dhe të mbani higjenë orale të lartë.
Simptoma 4: Shtrëngim, dhembje në supe apo qafë
Gjatë një infarkti, shumë njerëzve u duket sikur një elefant i ka hipur në kraharor, ndërsa të tjerë ndjenjë shtypje në krahë. Sidoqoftë, jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtat simptoma “klasike”.
Në fakt, shumë persona që pësojnë infarkt kanë një ndjesi të pa rehatshme, djegie, dhimbje ose presion në qafë, nofull apo shpatulla. Për disa, një ndjenjë parehatie, është e vetmja shenjë e dhimbjes se zemrës apo të infarktit.
Simptoma 5 : Këmbë të fryra
Këmbët mund të fryhen për disa arsye, edhe për arsye të thjeshta si vapa. Por, këmbët e enjtura mund të tregojnë edhe probleme kongjestive të zemrës. Kjo ndodh në mënyrë të veçantë kur një person ka marrje të pazakontë të frymës gjatë një aktiviteti, apo kur po përpiqet të flejë.
Simptoma 6: Probleme me tretjen dhe urth
Urthi dhe problemet me tretjen janë tepër të zakonshëm dhe rrallë herë probleme serioze. Por në disa raste, ajo ndjesia e djegies, apo dhimbjes në pjesën e sipërme të barkut, mund të jetë shenjë e dhimbjes të zemrës apo të infarktit.
Problemet e vazhdueshme me stomakun dhe lemzë të vazhdueshme mund të jetë një tregues.
Gjithashtu, kur urthi, mostretja dhe lemza shkaktojnë të vjella, djersitje, e marrje fryme, duhet të vizitoheni tek mjeku.