Pavarësisht se shumëkush mund të ketë një tjetër perceptim, shqiptarët janë ndër vendet e fundit në Evropë sa i përket njohjes së një gjuhe të huaj. Më pak gjuhë të huaja dinë vetëm britanikët, rumunët dhe boshnjakët.
Këtë e tregon një publikim i fundit i Eurostat, sipas të cilit, 59.9% e shqiptarëve nuk dinë asnjë gjuhë të huaj.
Të dhënat i referohen viti 2016 dhe tregojnë se 25.9% e shqiptarëve dinë një gjuhë të huaj, 10.9% e tyre dy gjuhë të huaja, dhe vetëm 3.2%, tre ose më shumë gjuhë të huaja, shkruan ‘Scan’.
Shifrat flasin qartë, dhe diferenca e shqiptarëve me popujt e tjerë të kontinentit të vjetër, e madje edhe me fqinjët rajonalë është e dukshme, përcjell albinfo.ch.
Boshnjakët me 61%, rumunët me 64 dhe britanikët me 65% janë tre popujt e vetëm në Evropë që kanë një rezultat më të dobët se Shqipëria.
Pavarësisht se shumë shqiptarë mund të dinë gjuhë të huaja, ata nuk i kanë të certifikuara këto aftësi, çka mund të përbëjë pengesë edhe në tregun e punës. Rekordin evropian e mban Suedia, ku vetëm 3.4% e popullsisë nuk njeh asnjë gjuhë të huaj.
Suedia ndiqet në renditje nga pjesa dërrmuese e vendeve skandinave, ku gjuha angleze është mjaft e përhapur.