Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kanë mbajtur takim të përbashkët, në të cilin ndër tjerash është diskutuar për ligjin për përgjegjësinë disiplinore në lidhje me identifikimin e hartimit të rregulloreve që dalin nga ky ligj dhe formimi i grupeve të përbashkëta për hartimin e akteve normative, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se ky takim është për të ndërmarrë veprimet e përbashkëta si këshille për ligjin për përgjegjësi disiplinore.
“Ligji për përgjegjësi disiplinore për prokurorë dhe gjyqtarë ka hyrë në fuqi dhe të dy këshillat në bazë të ligjit në këtë takim duhet me i ndërmarr veprimet e përbashkëta që kanë të bëjnë me procedurë hetimore dhe vendimmarrjes”, tha Idrizi.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se do të hartohen aktet nënligjore për një efikasitet më të mirë e profesional.
“Ne këshillat kemi ra dakord me mbajt një takim të përbashkët për të nxjerr një udhëzim apo vendim për të zbatuar dispozitat aktuale të ligjit për disiplinë që ka hy në fuqi para disa ditëve. Ky udhëzim ka për qëllim me i dhënë sqarim për të zgjidhur lëndët që janë në hetim apo kanë filluar procedurat disiplinore. Në vazhdën e kësaj me kryesuesin jemi pajtuar që meqenëse ligji aktual në fuqi kërkon këshillat me nxjerr akte të brendshme ligjore dhe përmbajtja e ligjit është e njëjtë, jemi dakorduar që sot në këtë takim me marr vendim që t’i hartojnë këto akte nënligjore për një efikasitet dhe profesionalizëm më të mirë”, tha Hyseni.
Ai tha se kanë përgatitur vendimin për të dhënë udhëzime të qarta në mënyrë që zyra e prokurorisë disiplinore mos të ketë probleme në trajtim.
Hyseni tha se janë afro 70 lëndë për hetime disiplinore.
“Ne nuk kemi ndërruar asgjë nga dispozitat ligjore, por vetëm ta kemi të qartë që lëndët që i ka në procedurë dhe që kanë ardh deri sa ligji ka hy në fuqi, duhet të kryhen siç e përcakton ligji dhe brenda afateve që i përcakton ligji”, tha ai, raporton EO.
Arjanit Salihu, ushtrues detyre i drejtorit të zyrës së prokurorit disiplinor, tha se janë 69 lëndë të cilët janë nën hetime preliminare.
“Ne t’i përfundojmë lëndët që i kemi në punë aktualisht, ne nuk kemi një numër të madh të lëndëve disiplinore. Afati ligjor prej 6 muajsh është i mjaftueshëm për trajtimin e gjitha lëndëve”, tha ai.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe lidhur me rregullimin ligjor të statusit të veçantë të stafit mbështetës të gjykatave dhe prokurorive.
Hyseni për këtë tha se Kuvendit duhet t’i dërgohet një letër ku kërkohet tu njihet statusi i veçantë.
“T’i drejtohemi me letër nëse dikujt i njihet statusi i veçantë i shërbimit civil, do ishte ligjore e kushtetuese me ju njoft edhe administratës tonë, nëse nuk i njihet askujt statusin i veçantë atëherë edhe ne pajtohemi ta kemi njëjtë sikur të gjithë shërbyesit civil”, tha Hyseni.