Për nder të Ditës Botërore të Librit Organizata Jo Qeveritare “ETEA” ka mbajtur diskutimin e hapur mbi kulturën e leximit të të rinjve, me rastin e publikimit të raportit hulumtues “Lexueshmëria në shkollat e mesme të larta të Prishtinës”.
Sipas të dhënave të hulumtimit vetëm 7.6 % të nxënësve në shkollat e Prishtinës frekuentojnë bibliotekën, raporton Ekonomia Online.
Besarta Breznica, autore e hulumtimit, tha se sipas të dhënave të siguruara nga drejtoria komunale e arsimit të Prishtinës janë 10.312 nxënës, del që 7.6 % e nxënësve të këtyre shkollave e frekuentojnë këtë bibliotekë
Sipas saj, në këtë hulumtim janë të përfshira të gjitha shkollat e mesme të larta në komunën e Prishtinës dhe anketimi është kryer nga nxënësit e grupmoshës 14-18 vjeç.
Ajo tha se në bazë të anketimit që është bërë në shkollat e Prishtinës pjesa dërrmuese e të rinjve lexojnë vetëm kur janë të obliguar nga shkollat e tyre.
“Sipas të dhënave të siguruara nga biblioteka ‘Hivzi Sulejmani’, vetëm 784 nxënës të shkollave të mesme të larta janë të regjistruar dhe marrin libra në këtë bibliotekë. Duke e krahasuar këtë të fundit me numrin aktual të nxënësve të shkollave të mesme të larta të Prishtinës sipas të dhënave të siguruara nga drejtoria komunale e arsimit të Prishtinës janë 10.312 nxënës, del që 7.6 % e nxënësve të këtyre shkollave e frekuentojnë këtë bibliotekë”, shtoi Breznica.
Autori i hulumtimit “Lexueshmëria në shkollat e mesme të larta të Prishtinës”, Avni Alidemaj tha se gjatë hulumtimit janë anketuar 604 nxënës, sipas mostrës përfaqësuese, nga 13 shkollat e mesme publike të Komunës së Prishtinës.
“Zhvillimi i hovshëm teknologjik ka ndikuar në mungesën e leximit, sepse të rinjtë tanë nuk e përdorin teknologjinë në mënyrë progresive apo pozitive, por i përdorin fragmentet sa për të i plotësuar nevojat e tyre”, shtoi Alidemaj.
Alidemaj duke folur për rezultatet e këtij hulumtimi shtoi se kultura e leximit tek të rinjtë në Kosovë është tejet e ulët duke mos qenë në gjendje të kuptojnë rëndësinë e leximit për zhvillimin e tyre intelektual dhe profesional dhe se përdorimi i pakontrollueshëm i teknologjisë është njëri ndër faktorët dominant të mungesës së leximit.
Drejtori i organizatës “ETEA”, Agron Ahmeti tha se kjo OJQ po hyn në vitin e katërt të veprimtarisë së saj për kulturën e leximit te të rinjtë dhe përmirësimin e gjendjes në Kosovë.
“Ky raport përbën një punë modeste, por me nje vlerë të madhe sepse është raporti i parë hulumtues që trajton tematikën e lexueshmërisë dhe trajton pikën fillestare dhe ne planifikojmë të zhvillojmë këtë hulumtim është në tërë territorin e Kosovës”, tha Ahmeti.
Ndërsa, sociologu, Albert Mecini tha se jo vetëm në vendin tonë, por në nivel global lexueshmëria dhe mendimi kritik është vazhdimisht në rënie e sipër.
Ndërsa duke u bazuar në hulumtimin e bërë të rinjtë kosovarë më shumë preferojnë të lexojnë romane dhe libra të huaj se sa ato në gjuhën shqipe dhe sipas Mecinit kjo po ndodh për shkak të mos përshtatjes së kohës që të rinjtë po jetojnë, raporton EO.
“Leximi kritik, botimi i romaneve dhe i librave duhet të jetë në hap me kohen që të rinjtë tanë të kenë vullnetin dhe pasionin për të lexuar”, shtoi Mecini.
Gjatë këtij aktiviteti u zgjodhën lexuesit e vitit në bashkëpunim me bibliotekën “Hivzi Sulejmani”. Lexuesi i vitit u zgjodh nxënësi i shkollës fillore “Hasan Prishtina”, Antion Hoti dhe nxënësi i shkollës së mesme “Xhevdet Doda”, Arianit Preniqi.
Ky është hulumtimi i parë që po zhvillohet në mënyrë shkencore për lexueshmërinë e të rinjve, përmes së cilës synohet identifikimi i shkaqeve që ndikojnë negativisht në këtë aspekt.