Shtatë muaj burgim u shqiptuan nga Gjykata Themelore në Prishtinë për të akuzuarin A.S., për shkak se akuzohej se u zu me 400 euro fals.
Aktgjykimi u shpall të martën nga gjyqtarja Sulltane Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I akuzuari kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, pranë të cilës qëndroi prokurori Eset Rama.
Avokati i të pandehurit A.S., Burim Sallova tha se i mbrojturi i tij i ka kuptuar benefitet dhe pasojat për pranimin e fajësisë.
“Ju njoftojmë se pranimi i fajësisë nga i mbrojturi im është bërë nga vullneti i lirë pas konsultimeve me mua si mbrojtës. I ka kuptuar pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, andaj i propozojmë gjykatës që marrëveshjen e tillë ta aprovojë”, ka thënë Sallova.
“Kërkoj që të aprovohet kjo marrëveshje. Pajtohem me avokatin”, u shpreh më pas i akuzuari.
Gjyqtarja Hoti më pas mori vendim me të cilin aprovoi marrëveshjen për pranim fajësie.
Ndërsa prokurori Rama i rekomandoi Gjykatës dënim me burg prej 7 deri në 10 muaj. E avokati Sallova propozoi që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim minimal i paraparë sipas marrëveshjes
“…pasi i mbrojturi im që në fazën fillestare e ka pranuar fajësinë. Është penduar dhe ka kërkuar falje, ka premtuar se s’do të kryejë tjetër vepër penale dhe sjellja e tij propozojmë të merret si rrethanë lehtësuese. Të merret parasysh edhe fakti se i mbrojturi im është i vetmi anëtar i familjes që e ka siguruar ekzistencën e familjes 4-anëtarëshe”, ka thënë avokati Sallova.
Më pas, i akuzuari u dënua m 7 muaj burgim efektiv.
Sipas aktakuzës së ngritur 16 dhjetor 2025, A.S., akuzohet se më datë 9 mars 2025, me qëllim që të vë në qarkullim para të falsifikuara, merr, bartë me vete për qarkullim dy kartëmonedha 200 euroshe, të dyja bashkë në vlerë 400 euro, ku njësitet policore në Fushë-Kosovë e kanë ndaluar të njëjtin, e kanë verifikuar ku i njëjti ka pasur urdhëresë aktive nga gjykata dhe më i pas ia kanë gjetur paratë e falsifikuara.
Me këtë, A.S., akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i parasë” nga neni 296, par.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi