7 shkaqe të kancerit të vezoreve që është mirë t’i dini

Prishtinë | 16 Sht 2023 | 00:50 | Nga Ekonomia Online

Lajmi i mirë: Kanceri i vezoreve nuk është aspak i shpeshtë. Rreziku që ka një grua për t’u prekur nga ky kancer në gjithë jetën e saj është 1 në 78 (krahasuar me 1 në 8 për kancerin e gjirit).

Lajmi i keq: Edhe pse kanceri i vezoreve është më i rrallë krahasuar me llojet e tjera të kancerit, ai është më vdekjeprurësi. Është shkaktari i pestë në radhë i vdekjeve nga kanceri te gratë dhe shkakton më shumë vdekje se çdo kancer tjetër gjinekologjik.

Por përse është kaq vdekjeprurës? Problemi është se shpesh gratë nuk vërejnë simptoma të kancerit të vezoreve deri sa sëmundja të ketë përparuar, dhe sa më vonë të kapet, aq më i vështirë është për t’u trajtuar.

Në mënyrë që të tregojmë kujdes dhe të jemi vigjilentë për të kapur simptomat e para të kancerit të vezoreve, është mirë që të dimë disa nga faktorët më të shpeshtë të riskut.

Mutacione të trashëguara gjenetike

Ekzistojnë mutacione të ndryshme gjenetike që mund të jenë trashëguar nga prindërit, që rrisin riskun për zhvillimin e kancerit të vezoreve si BRCA1, BRCA2 dhe sindroma Lynch. Për shembull, afërsisht 1% e grave në popullatën e përgjithshme do të zhvillojnë kancer të vezoreve në jetën e tyre. Ndërsa gratë me një mutacion BRCA1 kanë 44% gjasa për zhvillimin e tij, gratë me mutacion BRCA2 kanë 17% mundësi dhe ato me sindromën Lynch 6 – 8%.

Histori familjare të kancerit të vezoreve

Edhe nëse nuk keni një mutacion gjenetik të trashëguar, nëse keni dy apo më shumë të afërm me kancer të vezoreve, atëherë risku për zhvillimin e këtij kanceri rritet.

Plakja

Mosha është një nga faktorët më të zakonshëm të riskut për shumë lloje kanceri dhe gjysma e të gjitha rasteve me kancer të vezoreve diagnostikohen në gratë e moshës 63 ose më shumë. Sa më shumë të jetosh, aq më shumë ndodh procesi i ndarjes së qelizave, dhe aq më i madh është rreziku për zhvillimin e një mutacioni gjenetik.

Mbipesha

Shpjegimi për këtë faktor risku lidhet me hormonet. Indi dhjamor prodhon estrogjen. Prodhimi i shumtë i estrogjenit, sidomos në gratë në moshë më të madhe pas moshës së menopauzës, i vë ato në risk për zhvillimin e kancerit të vezoreve. Për më tepër, indi dhjamor prodhon disa molekula që janë destruktive për ADN-n dhe gjenet. Këto quhen agjentë aksidativë. Ky faktor risku është një nga ata që mund t’i kontrollojmë, sepse është e mundur të ruajmë një peshë normale, duke ngrënë ushqime më të shëndetshme dhe duke u ushtruar rregullisht.

Terapia e zëvendësimit të hormoneve (estrogjenit)

Përdorimi i kësaj terapie pas menopauzës është lidhur me rritjen e riskut për zhvillimin e kancerit të vezoreve. Risku është më i lartë për ato që marrin vetëm estrogjen (jo progesteron) për të paktën 10 vjet.

Ovulimi

Sa më shumë të ovulosh, aq më i madh është risku për të zhvilluar kancer të vezoreve. Gjatë ovulimit, epiteliumi apo lëkura, kapsula e vezoreve, çahet dhe liron një vezë dhe pastaj kjo çarje shërohet vetë. Procesi i shërimit kërkon ndarjen dhe rigjenerimin e qelizave. Sa më shumë të ndahen qelizat, aq më të larta janë mundësitë që të ndodhim mutacione gjenetike, që mund të akumulohen me kalimin e kohës dhe të shkaktojnë kancer të vezoreve. Shtatzënitë, ushqyerja me gji dhe marrja e kontraceptivëve oralë, parandalojnë ovulimin duke ulur kështu riskun për zhvillimin e këtij kanceri. Nga ana tjetër, infertiliteti, të mos bërit fëmijë, fillimi i ciklit menstrual në një moshë të hershme dhe menopauza në një moshë të vonë rrisin riskun për prekjen nga kanceri i vezoreve.

Endometrioza

Ka një risk të shtuar të kancerit të vezoreve nëse ke endometriozë, një çrregullim ku endometriumi (shtresa e brendshme e mitrës, e cila zëvendësohet çdo muaj me ciklin menstrual) fillon të rritet jashtë mitrës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme