Serbët dërgojnë në Kushtetuese vendimin e Abrashit për pensione

Prishtinë | 17 Kor 2016 | 16:01 | Nga

Deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, ish-ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese udhëzimin e MPMS-së, i cili do t’i linte pa pensione bazike pensionistët që nuk jetojnë në Republikën e Kosovës.

Udhëzimi administrativ që përcakton procedurat dhe dokumentet për marrjen e pensioneve bazike, ka filluar të ndalë pensionet bazike për mijëra pensionistë që jetojnë dhe marrin pensione në Serbi dhe vijnë vetëm për të marrë pensione edhe në Kosovë.

Ky hap i MPMP-së, të drejtuar nga ministri Arban Abrashi, është në kuadër të pastrimit të skemave pensionale dhe skemave të tjera, të cilat janë stërngarkuara me shumë parregullsi dhe në kundërshtim me aktet juridike, një pjesë e të cilave kanë ndodhur pikërisht në kohën sa ministër ishte Nenad Rashiq.

Rashiq e ka ngritur këtë çështje edhe në Kuvendin e Kosovës dhe tashmë e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese.

Mirëpo, ky hap më herët ishte kundërshtuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje e cila e kishte konsideruar si të drejtuar kundër pensionistëve që jetojnë në mërgatë.

Por, numri i pensionistëve të Kosovës që jetojnë në mërgatë e që marrin pensione në Kosovë është shumë i vogël, aq më shumë duke pasur parasysh fokusin e diasporës kosovare që të japë dhe jo të marrë prej Buxhetit të Kosovës.

Ministri Abrashi nuk ka dashur të polemizojë rreth qëndrimeve të Listës Serbe dhe Lëvizjes Vetëvendosje të cilat janë shprehur kundër kësaj reforme, por ka thënë për portalin Koha.net, se kjo është praktikë normale në të gjitha vendet.

Abrashi, po ashtu, ka thënë se si rezultat i reformave që po ndërmerren, është bërë rritja më e madhe e përkrahjes sociale për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale që nga paslufta.

“Si rezultat i reformave që po ndërmerren dhe pastrimit të skemave pensionale dhe skemave tjera, po rrisim përkujdesjen ndaj të gjitha kategorive që kanë nevojë për përkrahje më të madhe financiare. Kemi rritur pensionet rreth 25 %, kemi rritur asistencën për familjet në nevojë për rreth 25 % dhe tashmë, pas menaxhimit më të mirë të këtyre skemave, do të kemi hapësirë për të rritur përkrahjen financiare edhe për shumë kategori të tjera që kanë nevojë në Kosovë”, tha Abrashi për Koha.net.

Sipas përllogaritjeve, pjesa dërrmuese e pensioneve që do të ndalen janë për pensionistët që jetojnë dhe marrin pensione ne shtetet fqinje dhe që vijnë në Kosovë vetëm për të tërhequr pensionet, të cilët disi kanë arritur të bëhen pjesë e skemave pensionale të Kosovë.

Të ngjashme