Nenad Rashiq: Me këtë ritëm, Serbia e Kosova do të dialogojnë deri në vitin 2068

Prishtinë | 20 Nën 2021 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Ka dhjetë vjet që ka filluar, por ende pa rezultat. Dialogu Kosovë-Serbi nuk po përparon, e “mollë sherri” për këtë stagnim është bërë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Derisa në pala kosovare po insiston se s’do të ketë Asociacion një-etnik, ajo serbe po kërkon me ngulm që Asociacioni të formohet me kompetenca eksekutive.

E, dikush procesin e dialogut tanimë po e sheh vetëm si improvizim.

Sipas, kryetarit të Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, që dikur ishte ish-këshilltari politik i kryeministrit, Albin Kurti në Qeverinë “Kurti 1”,  rezultatet e dialogut janë minimale.

“Dialogu në kohën e fundit është vetëm improvizim, nuk ka ndonjë dialog të thellë i mirëfilltë, dialog i cili e ka për detyrë sikur që u dashtë me pas njerëz të terrenit, ose më mirë me thënë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, përkundrazi e ka vetëm një improvizim dhe vetëm po vazhdon i tillë”, është shprehur Rashiq.

Sipas tij, dialogu deri më tani nuk ka pasur asnjë rezultat.

Ish-këshilltari i Albin Kurtit:  BE-ja, fajtore për zvarritjen e dialogut

Rashiq me ironi thotë se duke parë ecurinë e mbarëvajtjes së tij, dialogu nuk do të përfundojë deri në vitin 2068, dhe për këtë e fajëson Bashkimin Evropian.

“Duke e ditur aftësinë e Bashkimit Evropian në këtë rast burokracinë e saj unë po pres që dialogu të vazhdojë deri në vitin 2068. Por, këtë po e them me ironi”, ka thënë kryetari Rashiq, për FrontOnline.

Sa i përket marrëveshjes së Asociacionit, sipas tij kjo e fundit është nënshkruar dhe se më nuk mund të refuzohet.

“Nëse e pranoni një ose dy, ose pesë a gjashtë pika të marrëveshjeve që janë nënshkruar kjo do të thotë që duhet t’i pranoni edhe ato pesë pika tjera të cilat janë të nënshkruara, por që nuk u zbatuan. Që do të thotë që konsideroj që marrëveshja nëse është bë dhe marrëveshjet të cilat nënshkruhen nuk prishen në mënyrë automatike në momentin kur vjen ndonjë administratë tjetër”, ka deklaruar ai.

Nenad Rashiq institucioneve të Kosovës: Asociacionin e keni nënshkruar, gjejeni zgjidhjen

Rashiq ka kritikuar institucionet e Kosovës për këtë marrëveshje, derisa thotë se duhet të gjendet një zgjidhje.

“Prandaj, unë kam thënë që nuk besoj që është mirë që institucionet e Kosovës të injorojnë këtë faktin që është nënshkruar atje, një marrëveshje sa i përket Asociacionit, por në çfarë forme do të quhet ajo është një temë tjetër që unë e kam propozuar edhe më herët. Duhet institucionet e Kosovës të reagojnë në mënyrë aktive që të gjejnë zgjidhje çfarë do qoftë ajo forma e Asociacionit, por deri në këtë moment unë nuk e kam parë asnjë ide alternative ose një ide tjetër e cila mund të diskutohet”, është shprehur Rashiq.

Nenad Rashiq tregon zgjidhjen për Asociacionin

Sipas tij, të dyja palët si ajo kosovare e po ashtu edhe pala serbe nuk po tregojnë vullnetin për marrëveshje, duke thënë se mes tyre po ekziston një i ashtuquajtur “bunkerizim”.

“Prandaj, unë në vend të institucioneve të Kosovës isha përpjekur që të dizajnojë ide tjera ose alternativa, programe ose projekte ku Asociacioni mund të formulohet në forma të cilat institucionet mendojnë që janë të kapshme. Nëse bëhet një bunkerizim dhe pa kurrfarë ideje, shembull ose propozim për ndryshimin e situatës atëherë qysh e thash mbesin deri në 2068 duke negociuar”, ka thënë ai.

I pyetur se çka do të ndodhë nëse palët nuk pajtohen më këtë, ai ka pasur një përgjigje të shkurtë.

“Gjithmonë ka zgjidhje, por nuk ka hapësirë në metodën e komunikimit”, është shprehur Rashiq.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme