75-vjetori i themelimit, Arkivi i Kosovës nënshkruan marrëveshje me Arkivin Kombëtar të Hungarisë

Prishtinë | 23 Mar 2026 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka nënshkruar sot marrëveshjen e parë me Arkivin Kombëtar të Hungarisë, raporton Ekonomia Online.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, me ç’rast ka filluar organizimin i aktivitetit tradicional,  ”Java e Arkivit të Hapur”.

Sekretari Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Kosovës, Bislim Bislimi, ka thënë se është e rëndësishme të shkëmbehen përvojat mes të dyja shteteve.

“Për neve është jashtëzakonisht me rëndësi si shtet i ri të kemi mundësinë të ju kemi sot prezent këtu për çka edhe njëherë dua të shpreh konsideratën time më të lartë për të gjithë ju, veçanërisht përfaqësues të shteteve partnere. Republika e Kosovës është në proces të konsolidimit dhe transformimit të një sistemi të qëndrueshëm të meanaxhimit të trashëgimisë sonë dokumentare të arkivave dhe në këtë rrugë në këtë proces ne llogarisim jashtëzakonisht shumë në shtetin që presim ta kemi nga përvojat e suksesshme të cilat ju tashmë i keni implementuar në shtetet prej nga vini dhe organizatat tjera që kanë për fushëveprim çështje të rëndësishme të fushës së arkivave”, ka thënë ai.

Bislimi shtoi se shpreh përkushtimin e plotë të Ministrisë së Kulturës për të mbështetur fuqimisht zhvilllimin e mëtejshëm të objektivave strategjike të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

 “Unë dua edhe njëherë të shpreh përkushtimin e plotë të Ministrisë së Kulturës për të mbështetur fuqimisht zhvilllimin e mëtejshëm të objektivave strategjike të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe që ky proces nuk mund të paramendohet pa një strukturë të qëndrueshme të ndërveprimit dhe bashkëpunimit me shtete partnere, me organizata, me institucione arkivore prej nga vini”, ka thuar ai.

Kurse, zv.drejtori i Përgjithshëm i Arkives së Shqipërisë Endrit Musaj, ka deklaruar se 75-vjetori i Arkivës së Kosovës përfaqëson më shumë se një përvjetor institucional.

 “Ky jubile përfaqëson  shumë se një përvjetor institucional dhe është një moment reflektimi me një rrugëtim të gjatë profesional dhe njëkohësisht një dëshmi e një roli të pazëvendësueshëm që Arkivi i Kosovës ka luajtur në ruajtjen, administrimin dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare, Që prej themelimit të tij në vitin 1951 Arkivi i Kosovës ka ndërtuar një traditë të qëndrueshme  në shërbim të kujtesës historike dhe të funksionit institucional të shtetit”, ka thënë ai.

Me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do ta shënojë këtë jubile me një program njëjavor aktivitetesh, nga sot e deri më 27 mars 2026.

Gjatë kësaj jave, Arkivi do të mirëpresë, studentë, nxënës, studiues dhe të gjithë të interesuarit, të cilët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me punën dhe aktivitetet profesionale të arkivit./Ekonomia Online

Të ngjashme