Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka vizituar Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, me rastin e Ditës së Gruas, raporton Ekonomia Online.
Minire Begaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, tha 785 personave u është njohur statusi i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Faleminderit për të gjitha ato që u thanë në juve ndihemi mirë kur si shoqëri punojmë për këtë kategori, do të punojmë shumë ngushtë me ju që ta kryejmë me dinjitet këtë punë për viktimat e dhunës gjatë luftës”.
“Me këtë përkushtim me këtë profesionalizëm kemi arritur të njohim 785 rasteve dhe ka qenë sfidë dhe traumë edhe për viktimat, janë persona me probleme shëndetësore sociale e të ndryshme”.
Teuta Haxhiu, anëtare e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, nga AAK-ja, tha se janë të gatshëm që tu dalin në ndihmë kësaj kategorie.
“Do të i shohim edhe sfidat e juaja dhe cilat janë detyrat e tona të cilat mund ti kryejmë ne si anëtarë të komisionit, ne nuk kemi hezituar tu ndihmojmë pavarësisht partive që vijmë, me ketë synim jemi edhe sot këtu”.
Saranda Bugujevci, anëtare e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, nga VV-ja tha se arsyeja e takimi është identifikimi i sfidave.
“Më vjen mirë që është organizuar ky takim, ta shohim mënyrën se si mundemi me ju ndihmuar”.
Kurse Valdete Idrizi anëtare e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, nga PDK-ja, tha se duhet të punojnë bashkarishtë që të aplikojnë në shumë viktima për këtë status.
“Nëse ka mbështetje prej dy anëve dua të ju falënderoj edhe për raportin që na keni dërguar dhe është shqetësuese numri i vogël i atyre që po aplikojnë dhe të mendojmë mënyra se si të aplikojnë me shumë, dhe si ne të e lehtësojmë punën e juaj”.
Jeta Krasniqi, anëtare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, bëri thirre që pavarësisht sa do jetë numri i atyre që marrin këtë status mos të bëhet krahasimi ndërmjet përfituesve me numrin e personave që kanë pësuar dhunë seksuale.
“Ky proces është që të gjithë që dëshirojnë të aplikojnë të vinë, nuk ka rëndësi numri që do të del pas 5 vitesh edhe në fund të këtij procesi nëse nuk del numri 20 mijë nuk do të thotë që nuk ka qenë ky numër”, tha ajo, raporton EO.
“Por mbetet në vullnetin e secilit person, për ne është e rëndësishme për njerëzit keqdashës që të bëjnë krahasimin e personave në këtë proces që janë te regjistruar me numrin e përgjithshëm”.