8 muaj burgim për serbin që thërriste “Vrite shqiptarin” gjatë Vidovdanit

Prishtinë | 06 Sht 2022 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 8 muaj burgim Nikola Nedelkoviqin, për akuzën se ka nxitur publikisht urrejtje ndërmjet kombësive shqiptare dhe serbe.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Nedelkoviq u shpall të martën, nga gjyqtari Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë dënim, të akuzuarit Nedelkoviq do t’i llogaritet edhe koha e mbajtur në paraburgim nga 28 qershori i këtij viti.

Të akuzuarit, gjithashtu i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Gjithashtu, të njëjtit si dënim plotësues i është shqiptuar dëbimi nga territori i Republikës së Kosovës, pas vuajtjes së dënimit.

Po ashtu, obligohet që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 50 euro për paushallin gjyqësor dhe shumën prej 30 euro për fondin e viktimave të krimit.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 qershor 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nikola Nedelkoviqit, me arsyetimin se më 28 qershor 2022 në Prishtinë, konkretisht në fshatin Bërnicë e Poshtme, derisa ishte duke u mbajtur manifestimi i Vidovdanit, i pandehuri me dashje në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, ka nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet kombësive shqiptare dhe serbe.

Sipas aktakuzës, i njëjti kishte mbajtur flamuj me mbishkrime në gjuhën serbe “nuk dorëzohemi” dhe më pas ka bërë fotografi dhe ka bërë thirrje nacionalisht në gjuhën serbe “Vrite shqiptarin”, dhe “Kosova është Serbi”.

Me këtë, Nedelkoviq akuzohej se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.1 të Kodit Penal.

Të ngjashme