80 familje nga skema sociale ndihmohen me veshmbathje

Kaçanik | 30 Jan 2017 | 11:25 | Nga

Ekzekutivi i Komunës së Kaçanikut mbajti mbledhjen e rregullt të fillim-javës e cila u kryesua nga kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi dhe nënkryetari Remzi Elezi.

Në këtë takim u bë e ditur se 80 familje nga skena sociale në Kaçanik janë ndihmuar me pako veshmbathjesh.

Diana Reka, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale tha se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare Bamirëse “Nëna Tereza” ka ndarë 80 pako me veshmbathje për familjet skamnore.

Drejtoresha Reka tha se këto ndihma janë grumbulluar në pikat doganore dhe në bashkëpunim me faktorët relevantë është vendosë që këto pako të ndahen për familjet me kushte të rënda ekonomike.

Në takim u fol edhe për gjendjen e rrugëve dhe pastrimin e tyre nga bora. Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca, Ramadush Osmani, tha se ka vazhduar mirëmbajtja e rrugëve lokale nga shtresa e akullit dhe ngricat si dhe hedhje e kripës në rrugë.

Ai theksoi se gjatë javës së kaluar është intervenuar në rrugën “Qamil Ilazi”, “Sali Bajra” dhe në rrugën “Idriz Seferi”. Po ashtu është hedhur kripë industriale në rrugën “Avdurrahim Shehu”, “Dëshmorët e Kombit”- Dushkajë dhe në rrugën “Beteja e 25 Majit” Dubravë.

Në takimin e mëngjesit u raportua edha për punët tjera të ekzekutivit nga drejtoritë përkatëse dhe nga sektorë të caktuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme