Shumica e qytetarëve informohen nga mediat online, madje disa herë në ditë, ndërsa shkeljet më të mëdha të kodit të etikës gazetareske bëhen në raportimet rreth aksidenteve në trafik dhe rasteve tragjike.
Kështu u tha në tryezën e organizuar nga organizata “Çohu”, ku u publikua hulumtimi “Sfidat e raportimit profesional”, i cili trajton raportimet e disa mediave online të cilat nuk i përmbahen kodit të etikës, raporton Ekonomia Online.
Në kuadër të këtij hulumtimi janë realizuar edhe dy pyetësor, njëri me qytetarë dhe tjetri me gazetarë. Besnik Boletini, nga “Çohu”, prezantoi të dhënat e gjeneruara nga këta dy pyetësor, me ç’rast tha se rreth 80% e qytetarëvë kanë thënë se i lexojnë mediat online disa herë në ditë, ndërsa 11% kanë thënë se i lexojnë nganjëherë.
Mirëpo, ai ka theksuar se 92% e tyre kanë thënë se mendojnë që gazetarët kanë nevojë për trajnime rreth kodit etik.
Boletini, tutje, ka thënë se shkelje në media ka veçanërisht në rastet kur raportojnë për ngjarje ku janë të përfshirë fëmijët, gratë apo grupet e margjinalizuara.
“Kemi raportime të shpeshta të cilat qojnë në një raportim jo etik. Roli i mekanizmave rregullues është t’i trajtojë këto raportime në bazë të kodit të etikës. Në përgjithësi kemi vërejtur se ka shkelje të kodit në mediat e shkruara. Në momentin kur mediat e kanë kuptuar se po monitorohen, ka filluar të rritet serioziteti në raportim. Kemi realizuar dy pyetësorë, një me gazetarë një me qytetarë”.
“Kemi pasur mbi 120 respodentë qytetarë, rreth 80% e tyre kanë thënë që lexojnë disa herë në ditë, ndërsa 11% kanë thënë se lexojnë nganjëherë. Shumica e qytetarëve informohen nga mediat online, madje disa herë në ditë (77%)”.
“Qytetarët janë pyetur nëse kanë parë shkelje të etikës së gazetarisë, duke u nisur nga perspektiva e tyre se si e kuptojnë këtë gjë. Sipas përgjigjeve, rezulton se 22 përqind kanë parë raportime të publikimit të fotografive të fëmijëve në portale, duke i portretizuar varësisht nga ngjarjet që kanë ndodhur. Ndërkaq, 24 përqind thonë se kanë parë publikime të emrave dhe të dhëna tjera në raste të aksidenteve tragjike”.
“Në pyetjen se a keni parë në portale lajme që përmbajnë paragjykime dhe gjuhë seksiste ndaj grave, 66 përqind janë përgjigjur po, mbi 27 përqind janë shprehur se nganjëherë dhe 6 përqind janë shprehur jo”.
Tutje, ai ka thënë se anketimi nxori një të dhënë shqetësuese për faktin se 62 përqind të respondentëve nuk dinë se ku duhet t’i adresojnë rastet e shkeljeve që konsiderojnë se janë bërë nga portalet informative.
“Ndërsa, sipas të dhënave të gjeneruara nga përgjigjet e gazetarëve, rezulton se 42 përqind e tyre mendojnë se portalet nuk e respektojnë sa duhet etikën gazetareske, po aq kanë thënë se ajo respektohet pjesërisht. Ndërkaq, 14 përqind thonë se portalet e respektojnë kodin e etikës”, ka vazhduar ai.
Tutje, Boletini ka thënë se mbi 92 pëqind e qytetarëve u përgjigjen se gazetarët dhe redaktorët kanë nevojë të ndjekin trajnime lidhur me kodin e etikës gazetareske.
“Mbi 71 përqind thonë se në disa portale ka edhe lajme që përbëjnë paragjykime gjinore, racore, të orientimit seksual etj. Mbi 42 përqind prej tyre, thonë se këto paragjykime kanë të bëjnë me gratë. Në pyetjen se si veproni kur e keni shkruar një shkrim apo keni përcjellë një ngjarje, 45 përqind thanë se e publikojnë vet në portal, ndërsa 64 përqind që redaktohet nga redaktori para publikimit. Mbi 92 pëqind u përgjigjen se gazetarët dhe redaktorët kanë nevojë të ndjekin trajnime lidhur me kodin e etikës gazetareske”, ka thënë Boletini.
Imer Mushkolaj, kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara, ka theksuar se është shumë e rëndësishme që qytetarët ta dinë ku të ankohen për shkeljet e ndryshme.
“Njerëzit e kanë parë Prokurorinë dhe Policinë si adresë për t’i raportuar ankesat rreth mediave. Besoni apo jo, para disa vitesh, më shumë se 80% e deputetëve nuk e kanë pasur idenë se ku duhet t’i dërgojnë ankesat”.
Ai ka theksuar se ankesat për pamje vizuele duhet të drejtohen në Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM), ndërsa ato për shkrime në Këshillin e Mediave të Shkruara (KMShK).
“Ne si këshill i trajtojmë ankesat çdo muaj. Nëse krahasohemi me vendet e rajonit, kemi më shumë kërkesa, edhe nëse e marrim për bazë numrin e banorëve. Muajin e kaluar i kemi pasur 17, pra për muajin gusht. Para dy ditësh e patëm në mbledhjen tjetër, i kemi pasur 14 sosh”.
Mushkolaj ka thënë se veçanërisht problematike janë raportimet për aksidentet në trafik dhe rastet tragjike.
Ndërsa, Lonida Molliqaj, drejtoreshë në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion në QIKA, ka thënë se gratë janë të nënpërfaqësuara në media e se kjo është një ndër arsyet pse edhe është hapur kjo organizatë.
Arsyeja pse është hapur QIKA ka qenë për me e përmbush këtë hapësirë ku gratë kanë qenë të nenpërfaqësuara në media dhe raportimet rreth tyre. Kanë qenë shumë të papërfshira në mediat në Kosovë, janë raportuar vetëm për ndonjë vrasje makabre. Edhe çështjet që lidhen me barazinë gjinore janë të nënraportuara”, ka thënë ajo, raporton EO.