Xhudoja po vazhdon ta bëjë krenare Kosovën.
Krahas sukseseve që po i arrijnë xhudistët seniorë, hapat e tyre po i ndjekin edhe ata të rinj.
Klubet “Polici” nga Prishtina dhe “Studenti” nga Vushtrria po vazhdojnë të korrin suksese në arenën ndërkombëtare.
Ata ia sollën vendit tonë plot 9 medalje nga turneu ndërkombëtar i xhudos “Bardejov Open”, i cili u mbajt në Sllovaki gjatë fundjavës.
Në një garë të ashpër me mbi 600 garues nga më shumë se 10 shtete, xhudistët kosovarë, të udhëhequr nga trajneri i palodhshëm, Anton Cena, u treguan mjaft të suksesshëm.
Në ditën e parë të garave, Sara Osmani e fitoi medaljen e artë duke përfunduar e para në U-18.
Edhe Zani Hysko e fitoi të artën në U-18, shkruan “Gazeta Express”.
Ndërkaq, Diar Jashari, Rrezarta Alimi dhe Bleona Gërxhaliu fituan medalje të argjendta pasi u plasuan në vendin e dytë, po ashtu në U-18.
E fatkeqësisht pa medalje mbeti Arlind Mustafa.
Në ditën e dytë, të gjithë garuesit morën pjesë në grupmosha më të mëdha, në U-21.
Bleona Gërxhaliu këtë radhë ishte më e suksesshme duke fituar medalje të artë.
Të argjendtë ishin Sara Osmani e Diar Jashari, kurse i bronztë ishte Arlind Mustafa.
E këtë radhë, Rrezarta Alimi ngeli pa plasman.
Trajneri Anton Cena u nda i kënaqur me paraqitjen e garuesve të tij, ndërsa i falënderoi ata që e mundësuan pjesëmarrjen e ekipit kosovar në këtë turne.
“Një falënderim i veçantë shkon për kryesinë e klubit të xhudos ‘Bardejov’ në krye me trajnerin Jan Arendac. Dua t’i falënderoj trajnerët e klubit të xhudos ‘Polici’, Bekim Salihu, Linda Cena, Kastriot Cena e Vendim Raci. Edhe pse nuk arrita ta ngrisja flamurin në Greqi, arrita ta ngris me rezultate në Sllovaki. Nuk ka me u ndal në shërbim të atdheut. Për mua, gjithmonë Kosova do të jetë e para”, ka shkruar Cena në rrjetet sociale.
Klubet “Polici” dhe “Studenti” janë mjaft aktive me pjesëmarrje në garat ndërkombëtare dhe janë treguar mjaft të suksesshme ndër vite.