Agjencia e Statistikave të Kosovës sot ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit” për TM3 2019, duke raportuar se rreth 90 mijë udhëtarë vetëm gjatë 3 muajve të fundit kanë përdorur trenin.
Komunikata e plotë:
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit” për TM3 2019, me të dhëna mbi transportin ajror, hekurudhor, rrugor, dhe telekomunikimin.
Në territorin e Kosovës janë gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport.
Në tremujorin e tretë të vitit 2019, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte rreth 90 mijë.
Transporti i mallrave me tren në tremujorin e tretë të vitit 2019 ishte rreth 372 mijë tonë.
Sa i përket numrit të fluturimeve, në TM3 2019 ishin 2 896 fluturime, ose 14 % më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2018).
Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti, gjatë këtij tremujori, ishte rreth 783 mijë. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2018) kishte një rritje për 8.52 %.