Është mbajtur takimi i 162-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës në të cilin është diskutuar Strategjia për Krime të Luftës, raporton Ekonomia Online.
Kryeprokurorja speciale, Drita Hajdari, ka prezantuar Strategjinë për Krime të Luftës deri sa ka thënë se nga Eulex-i kanë trashëguar afër 900 lëndë të krimeve të Luftës.
“Që nga qershori 2018, Prokuroria Speciale ka marr kompetenca për të ndjekur penalisht krimet e luftës. Nga ajo kohë deri në fund të vitit 2018 Eulex i ka transferuar afër 900 lëndë të krimeve të luftës. Bazuar në mungesën e progresit në fushën e krimeve të luftës gjatë mandateve të Unmik-ut dhe Eulex-it, Lumezi ka hartuar strategjinë për ndjekjen penale të krimeve të luftës. Gjendja aktuale e trashëguar në këtë fushë kërkon që të qasemi me strategji”, tha Hajdari.
Ajo tha se nga Eulex-i nuk kanë marrë asgjë për dhunën seksuale dhe për të zhdukurit.
“Unë kam kërkuar nga Eulex-i dorëzimin e përvojave të krimeve të luftës, por ka mbetur e paqartë nëse Eulex-i ka zhvilluar kriteret sepse nuk na kanë ofruar asnjë strategji. Nuk na kanë ofruar asgjë për dhunën seksuale, për të zhdukurit asgjë pos 900 lëndë për krimet e luftës. Ne gjendemi në një fillim ku duhet të krijohen mekanizma, ku duhet të bëhet hetimi bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Të sigurohet hetimi dhe ndjekja penale për krimet e luftës dhe krimet tjera sipas të drejtës ndërkombëtare. Duhet të emërohen 5 prokurorë që merren me krimet e luftës”, tha ajo, raporton EO.
Hajdari tregoi se kohëve të fundit është duke përfaqësuar një rast për masakrën më të madhe që është bërë gjatë luftës.
“Në këtë gjykim nuk ka medie, nuk ka kamera dhe mendoj që nuk është mirë për Kosovën”, tha ajo.
Kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se misionet ndërkombëtare nuk janë treguar të suksesshme për adresimin e krimeve të luftës.
“Qëllimi ka qenë që të kemi një strategji për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës duke marr parasysh se partneret ndërkombëtarë nuk kanë treguar ndonjë progres. Duke marr parasysh situatën që do të transferohet një numër i madh i lëndëve. Qëllimi është që kryesit e krimeve t’i biem para ligjit. Në bazë të Strategjisë duhet të jenë 5 prokurorë. Këto lëndë në të ardhmen duhet të trajtohen me prioritet. Pas dy dekadave gjendemi në fillim. Një numër i madh i deklaratave dhe provave nuk gjendet në dosjet që i kemi ne sepse janë jashtë Kosovës. Prandaj paraqitët nevoja që të rrisim bashkpunimin me vendet e rajonit e sidomos me Serbinë pavarësisht gjendjes politike. 28 shkurt 1998 20 qershor 1999 do të jetë periudha e hetimit për krimet e luftës”, tha Lumezi, raporton EO.
I pari i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se Strategjia për Krime të Luftës është strategjia më e rëndësishme derisa ka paraqitur Raportin Vjetor të KPK për vitin 2018-të.
“Është ndër strategjitë më të rëndësishme që kemi. Kemi për detyrë t’i vlerësojmë resurset e domosdoshme për punën në këtë strategji. Kjo strategji për krimet e luftës ka paraparë edhe një mekanizëm monitorues”, tha ai.
“…Ky raport paraqet aktivitetet dhe veprimtarin e zhvilluara për një vit të KPK-së si institucion i pavarur dhe profesional. Raporti përbehet prej 4 pjesëve: pjesa e parë është paraqitur vizioni, misioni dhe baza ligjore e funksionimit, pjesa e dytë janë paraqitur aktivitetet e KPK-së dhe gjithashtu janë paraqitur edhe puna e komisioneve. Në pjesën e tretë është prezantuar puna e sekretariatit. Raporti në këtë pjesë paraqet edhe shpenzimet dhe kategorizim të pagave dhe mëditjeve”, u shpreh Hyseni.