Rreth 93 asete të trashëgimisë kulturore janë futur nën mbrojtje të përhershme të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK).
Drejtori i këtij Këshilli Artan Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se lista e monumenteve nën mbrojtje të përkohshme është shumë e gjatë dhe përfshin mbi një mijë objekte.
Ai ka njoftuar se 93 asetet e trashëgimisë kulturore që janë nën mbrojtje të përhershme, kryesisht janë ato arkeologjike, arkitektonike dhe peisazhet kulturore.
Krasniqi ka shpjeguar se sistemi i Kosovës parashikon që qendrat rajonale për trashëgimi kulturore të punojnë në terren, duke identifikuar objekte dhe monumente tjera dhe duke i dorëzuar ato në Ministrinë e Kulturës.
“Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka 93 asetet kryesisht të trashëgimisë kulturore arkeologjike, arkitektonike peizazhet kulturore nën mbrojtje të përhershme. Sistemi i Kosovës nënkupton që qendrat rajonale për trashëgimi kulturore bëjnë punën në terren, bëjnë njohjen e objekteve dhe monumenteve, i dorëzojnë ato në Ministrinë e Kulturës, pastaj në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, për verifikim përfundimtar dhe për futjen pastaj në mbrojtje të përhershme”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai tha se lista e monumenteve në mbrojtje të përkohshme është shumë e gjatë dhe përfshin mbi një mijë objekte, por ka një disbalancë midis aseteve në mbrojtje të përkohshme dhe atyre në mbrojtje të përhershme.
Sipas ligjit, çdo aset kalon fillimisht në mbrojtjen e përkohshme, dhe çdo vit bëhet vlerësimi i atij aseti për të vendosur nëse do të kalojë në mbrojtje të përhershme.
“Këshilli është organ i Kuvend të Kosovës, është agjenci e pavarur prej Qeverisë, ka bashkëpunim shumë të mirë me ministrinë, me qëllim të mbrojtjes sa më të mirë dhe promovimin sa më adekuat të trashëgimisë kulturore. Aktualisht, lista e monumenteve në mbrojtjen e përkohshme është shumë e gjatë janë më shumë se një mijë objekte, ndërkaq ka një diskrepancë në mes aseteve të mbrojtjes së përkohshme dhe atyre në mbrojte të përhershme, por gradualisht qendrat rajonale dhe institucionet punojnë të sjellin sa më shumë dosje në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi”, ka theksuar ai.
Krasniqi ka pranuar se megjithëse ka bërë përpjekje për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, situata mund të jetë më e mirë.
Ai ritheksoi se disa asete janë të vendosura në qendra urbane, ku presioni për t’i shkatërruar ato është i madh për shkak të zhvillimit të bizneseve dhe investimeve.
“Sipas ligjit secili aset kalon në mbrojtjen e përkohshme, ato lista përditësore çdo vit sepse një vit ka të drejtën një aset të qëndroj në listën e përkohshme. Bëhet vlerësimi i atij aseti dhe sipas qendrave rajonale ato punojnë në grumbullim të informacionit dhe vendosin të propozojnë një aset për mbrojtje të përhershme. Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Kosovës në përgjithësi, mund të jetë akoma më mirë, ka shumë faktorë pse trashëgimia kulturore nganjëherë është e kërcënuar, disa asete i kemi nëpër qendra urbane dhe presion për me i rrënuar është nganjëherë shumë i madh për shkak të bizneseve e benefiteve ekonomike. Investimet janë të mëdha dhe nuk është lehtë me i mirëmbajtur ato disa koha i rrënon por shoh entuziazëm tek të gjithë që janë të angazhuar për të mbrojtur dhe ruajnë atë që ekziston”, ka thënë drejtori i KKTK-së Krasniqi.