Rafte të zbrazëta vërehen në shumë markete të Prishtinës, pasi shumë qytetarë janë dyndur të furnizohen me shumicë për shkak të frikës se produktet bazike mund të shtrenjtohen edhe më tej, ose të ketë mungesë, si pasojë e luftës në Ukrainë, raporton Ekonomia Online.
Në markete, edhe të enjten, mund të vërehej frekuencë më e madhe e njerëzve.
Qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online thonë se rritja e çmimeve të produkteve ushqimore është e dhimbshme dhe e papërballueshme për shumicën e kosovarëve, pasi pagat kanë mbetur të vogla.
Xhevdet Podrimaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë masa që produktet, sidomos ato esenciale, të mos të drejtim.
“Tani shihet që kohëve të fundit ka një rritje vërtetë të papërballueshme të çmimeve. Është shumë e dhimbshme, pagat nuk kanë ndryshuar asgjë, të hyrat nuk kanë ndryshu asgjë, ndërsa çmimet kanë shku dikund edhe 100 për qind. Vërtet e papërballueshme. Mirëqenia është ulur shumë. Qytetarët jetojnë keq, ndërsa Qeveria nuk është duke ndërmarrë asgjë në këtë aspekt”, tha ai
“Ç’është e vërteta kjo është një punë jo vetëm për shkak të çmimeve. Kjo është për shkak të luftës që është duke u bërë në Ukrainë edhe për shkak të rrezikut që ndoshta mundet me u zgjeru konflikti më tutje. Unë mendoj që nuk është shumë i arsyeshëm. Po në fund të fundit edhe nëqoftëse dikush prej neve grumbullon ca ushqime, nesër pasnesër nëqoftëse do të ketë vështirësi patjetër që atë duhet me nda me të tjerët”, tha tutje ai.
Bahrie Ispahiu, qytetare nga Prishtina, tha se rritja e çmimeve po bëhet barrë e madhe për qytetarët, pasi pagat kanë mbetur të ulëta.
“Po nuk është e mirë rritja e produkteve se pagat nuk janë të larta, janë të ulëta. Meqenëse unë jam familje e vogël, për mu prapë nuk ka problem, po ka familje që janë shumë skamnore, s’kanë kushte. Marketet krejt janë zbrazur. Dje isha në mëngjes në ‘Viva”, kishte mjaft vaj, në mbrëmje hiç”.
“Apeli im është që mos t’i bëjnë rritjet e çmimeve. Sipas standardeve edhe çmimet duhet me qenë, po më duket ashtu”, tha ajo për EO.
Ahmet Muslia i cili jeton në Gjermani thotë se çmimet në Kosovë janë më të larta se në Gjermani.
“Unë jam në Gjermani, në krahasim me atje çmimet më të mëdhaja janë këtu. Po qysh s’jemi, veç sot çka dëgjova që thanë se vajin e disa tjera nuk ka më nëpër markete”, tha Musliu, i cili kërkoi që qytetarët të ndihmohen, pasi ata që jetojnë me pension 100 euro e kanë të vështirë t’ia dalin.
“Dashtë Zoti i’a dalin. Nuk ki çka bënë, duhet me i’u ndihmu qytetarëve. Ata që jetojnë me një pension me 100 euro ata nuk munden me jetu. Si me jetu me 100 euro njeriu”, tha ai.
Ndërsa për Murat Mustafës, rritja e çmimeve po ndodh si pasojë e hegjemonisë sllave.
“Asnjë fije nuk jam i shqetësuar si qytetar, kështu që për çdo moment duhet me qenë shteti ynë i përgatitur, bota demokratike kështu që shovinizmi ruso-mall, serbo-mall para vdekjes total është. Doemos do duhet me përballu. Kjo nuk është vetvetiu rritja e çmimeve, kjo është gjeostrategjike. Për Qeverinë, kësi soji le të vazhdon le të punon, le ta fuqizon ushtrinë, mbrojtjen dhe koordinim me aleatët perëndimorë”, tha në fund ai.
Gjatë ditës së djeshme, shefi i Qeverisë, Albin Kurti, ka kërkuar nga qytetarët që mos të përhapin panik, pasi sipas tij gjendja nuk është alarmante në Kosovë.



