Pronari i fabrikës së vajit “Floil” në Gjilan, Berat Mustafa, ka thënë se nuk ka vend për shqetësim se do të ketë mungesë e vajit, pasi siç tha ai ka sasi të konsiderueshme në stoqe, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Mustafa deklaroi se në Kosovë vaji konsumohet shumë porse s’ka nevojë për panik.
“Më shumë është krijuar një panik apo një shqetësim tek qytetarët dhe janë duke konsumuar më tepër se që duhet. Duke e parë si rafineri se sa është konsumi i qytetarëve për çdo ditë, mendoj që është pak e ekzagjeruar si konsum. I lus qytetarët që të mos kenë shqetësim sepse nuk ka hapësirë për shqetësim. Kemi sasi të konsiderueshme ku edhe për këtë muaj do të mbulojmë me sasi. Pastaj edhe me ndihmën e kryeministrit dhe ministrave do të gjejmë mundësi dhe forma për vaj”, tha ai,
Mustafa, ka thënë se vaji prej fabrikës shitet me çmim 1.95 euro për litër, ndërsa pas TVSH-së çmimi bëhet 2.1 euro.
Edhe ai ka shprehur shqetësimin për ngritjen e çmimeve në treg, duke shtuar se nuk duhet të shfrytëzohet vakumi në treg.
“Më shumë është panik dhe po konsumohet më shumë se që duhet. Duke e pa këtë rafineri, është e ekzagjeruar kjo. Mos u shqetësoni sepse s’ka hapësirë për shqetësim. Kemi sasi të mjaftueshme për edhe këtë muaj e më pas do të gjejmë zgjidhje”, ka thënë ai.
“Diskutuam për furnizimet e mëtutjeshme dhe gjetjen e formës më të mirë për qytetarët tonë që të kenë vaj në tryezat e tyre. Biseduam hapur ia ofruam të gjitha mundësitë dhe bashkëpunimin tonë si kompani të cilat e kemi dhe do ta kemi me kryeministrin dhe qeverinë. Çmimi që është duke e shitur nga kompania jonë është është 1.95 cent për litër pa TVSh, ndërsa kur del në treg ajo bëhet 2.10 cent”, tha ai.
E ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se po punohet në rritjen e numrit të inspektorëve të tregut.
“Po ka mungesë të inspektorëve për disa sektorë por siç e dini prej zgjedhjeve të fundit edhe më herët ne e kemi synimin si qeveri për rritjen e numrit të inspektorëve dhe e kemi shtuar numrin e inspektorëve në AVUK për shkak të gjendjes së pandemisë dhe do të shikojmë mundësinë e rritjes të inspektorëve të tregut. Ne kemi shty përpara ligjin për inspektimet që do të bëjë një reformë të tërësishme me shumë ligje të tjera që janë pjesë e reformës së inspektimeve“, tha Hajdari.


