Abdixhiku: Ky është çmimi i braktisjes së detyrave shtetërore

| 10 Mar 2022 | 18:29 | Nga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se çmimi i vajit është rritur në rekord botëror në Kosovë, sepse siç ka thënë, nuk ka kush t’i kontrollojë fiksimet e mashtruesve.

Abdixhiku ka kritikuar qeverinë Kurti për mungesë inspektorësh dhe paralizim të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

“Çmimi i vajit rritet në rekord botëror, sepse fiksimet e mashtruesve s’ka kush t’i kontrollojë. S’ka kush t’i kontrollojë sepse në njërën anë inspektorët e shtetit nuk janë askund; e në anën tjetër Autoriteti i Konkurrencës është i paralizuar e pa funksion. Sot bëhen 10 muaj që kur Qeveria praktikante e Kurtit ka lënë këtë institucion pa Bord, rrjedhimisht pa njerëz që nisin hetime apo marrin vendime në kohë krizash si sot. Ky është çmimi i paaftësisë e neglizhencës. Është çmim i braktisjes së detyrave bazike shtetërore. Ne jemi në krizë. Dhe në këtë krizë nuk kemi Qeveri. Paralajmërimet e ngritura me kohë s’dëgjohen e rekomandimet e dhëna injorohen”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Sipas tij, LDK-ja i ka bërë disa paralajmërime për Qeverinë, por që nuk janë marrë parasysh.

“Më 3 shkurt, si LDK kemi paralajmëruar Qeverinë për marrjen e masave në sigurim të grurit para shperthimit të agresionit rus në Ukrainë. Asnjë reagim. Më 16 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të ofrojë një paketë masash fiskale që targetojnë inflacionin e lartë – më të lartin historik – në Kosovë. Asnjë reagim. Më 21 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të funksionalizojë sa më parë Autoritetin e Konkurrencës si preventivë për manipulimet e mundshme të çmimeve; me të njëjtat që po ballafaqohemi sot. Asnjë reagim. Këtë javë, kemi dhënë rekomandime konkrete mbi masat që duhet marrë për zbutjen e përballueshmërisë; me theks të veçantë në reduktimet e TVSH-së e akcizës mbi derivate fillimisht e më pas dhe në produktet bazike. Rekomandimet tona u mbështetën nga të gjithë, përveç Qeverisë. Asnjë reagim”, ka thënë Abixhdiku.

Të ngjashme