Kuvendi e ka miratuar në lexim të parë Projektligji që e vazhdon edhe për dy vjet njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.
Projektligjin e prezantoi ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tregoi deri më 15 maj të vitit 2025 do të jetë afati për aplikim.
“Propozimi është që aplikimi për njohjen e statusit për të gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të vazhdohet edhe për dy vjet, më konkretisht deri më 15 maj 2025”, tha ai. P
Kjo periudhë e propozuar u kundërshtua nga deputetët e opozitës.
“Afati nuk duhet të jetë i zgjatur vetëm për dy vjet, duhet të jetë afat i lirë. Pavarësisht se kur viktima në çfarëdo rrethane ndihet i lirë për të adresuar çështjen e vet që e trajton atë si viktimë civile, procesi duhet të jetë i hapur dhe nuk duhet të ketë kufizime kohore”, theksoi deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
Të njëjtën e mbështeti edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.
“Nuk duhet me pas kufizime kohore, pasi nuk është kufizuar në Bosnje, Kroaci dhe asnjë vend. Po ashtu puna e komisionit brenda është shumë katastrofale, kemi viktima që nuk janë të kënaqur me anëtarët e këtij komisioni. Unë publikisht po kërkoj që të ndryshohet ky komision pasi shumë gra kanë hezitime me u paraqitë”.