Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë bërë përurimin e akseleratori të dytë në Klinikën e Onkologjisë, raporton Ekonomia Online.
Kurti, para medieve, theksoi se kjo pajisje do të ketë rëndësi të madhe për pritjet e pacientëve, pasi sipas tij, brenda këtij viti nuk do të ketë më pritje. Shefi i Qeverisë potencoi se instalimi dhe montimi i kësaj pajisje është bërë në kohë rekorde.
“Përurimin e akseleratorit të dytë klinik, i cili është i teknologjisë më modern që në kuadër të radioterapisë bën rrezatimin me rreze jonizuese me saktësi maksimale në luftimin e tumoreve duke mos dëmtuar edhe indet e tjera rrotull, ajo çka është e re në këtë pajisje, që kjo teknologji e fundit i përshtatet sipërfaqes së tumorit, dhe në këtë mënyrë arrin që të mos bëjë dëmtime anësore”, u shpreh Kurti.
“Njëkohësisht në kohë rekord kanë arritur që ta bëjnë instalimin dhe montimin e kësaj pajisje, të akseleratorit të dytë, që do të përfitojnë të gjithë pacientët deri tash koha e pritjes ka qenë 6, ndërsa tash sipas drejtorit Ilir Kurtishi, kjo kohë do vihet në zero shumë gjasa brenda këtij viti”.
“Pra nga gjashtë javë deri në tetë javë sa ka qenë koha e pritjeve, tash listat e tilla nuk do të jenë të tilla, brenda këtij viti. Për gjashtë muaj ka qenë plani që të bëhet instalimi dhe montimi dhe është bërë për tre muaj e nëntë ditë”.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, tha se kjo aparaturë kap vlerën e mbi 1 milion euro dhe se deri në fudn të vitit pritejet e pacientëve do të jenë zero.
“Sot është një ditë e rëndësishme për shëndetësinë Kosovare sidomos për pacientet. Ashtu siç tha kryeministri sot përuruam akseleratorit e ri në vlerë prej 1 milion e 440 mijë euro i cili ta i e tutje do të ju shërbej të gjithë pacientëve për radio terapi dhe lista e pritjes që ka ekzistuar çdo herë dhe vazhdimisht ka variruar në bazë të kërkesave dhe problemeve që kanë pas paciente deri në fund të viti do të bëhet zero”.
“Përveç këtij investimi, është se në Klinikën e Onkologjisë deri në fund të këtij viti po investohen mbi 2 milionë euro duke përfshirë këtu edhe infrastrukturën do të ketë edhe shtim të kapaciteteve”, tha ai.
Drejtori i Institutit të Onkologjisë Ilir Kurtishi, tha se deri tash pacientët këtë shërbim e kanë marrë jashtë vendit, kurse tash do të trajtohen në Kosovë, raporton EO.
“Me këtë investim me aparaturën e re pacientët tan do të kenë trajtim më modern edhe më meritor. Për herë të parë në Kosovë do të përdorim një teknik të re të rrezatimi e cila quhet sterotaksik e cila bëhet në formë të veçantë për forma të veçanta të tumoreve të lokalizuar në tru ose vende të caktuara të vendeve tonë”, tha ai.
Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti:
Mirëdita të gjithëve!
Ju falënderoj shumë që keni ardhur ta ndiqni këtë vizitë tonën në Institutin e Onkologjisë.
Unë këtu jam bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Dr. Arben Vitinë, me drejtorin e Onkologjisë, Dr. Ilir Kurtishaj, dhe gjithashtu me drejtorin e Shërbimit Spitalor Kliniko – Universitar të Kosovës, Elvir Azizin. Erdhëm që të bëjmë përurimin e akseleratorit të dytë linak, i cili është i teknologjisë më moderne që në kuadër të radioterapisë bën rrezatimin me rreze jonizuese, me saktësi maksimale në luftimin e tumoreve, duke mos dëmtuar edhe indet e tjera rrotull. Ajo që është e re në këtë pajisje është fakti se kjo teknologji e fundit i përshtatet sipërfaqes së tumorit dhe në këtë mënyrë pra arrin që të mos bëjë dëmtime anësore. Në Institutin e Onkologjisë këtu punojnë gjithsej 24 mjekë, janë edhe 6 fizikantë si dhe janë 40 infermierë. Ne i falënderuam të gjithë ata për punën e madhe që po e bëjnë dhe jo vetëm kaq, njëkohësisht në kohë rekord kanë arritur që ta bëjnë instalimin dhe montimin e kësaj pajisje, pra të akseleratorit të dytë, nga e cila do të përfitojnë të gjithë pacientët. Deri tash koha e pritjes ka qenë gjashtë deri në tetë javë, ndërkaq sipas drejtorit Ilir Kurtishi kjo kohë do të vije në zero me shumë gjasa brenda këtij viti. Pra nga gjashtë deri në tetë javë sa ka qenë koha e pritjes në listat e pacientëve, tash listat e tilla nuk do të jenë më, shumë shpejt për çështje pak muajve sepse e kemi edhe akseleratorin e dytë. Vlera e tij është 1 milion e 444 mijë euro dhe ne do të vazhdojmë që të mbështesim personelin tonë shëndetësor i cili punon me përkushtim maksimal, me devotshmëri, me profesionalizëm, me përgjegjësi për të gjithë pacientët të cilët vijnë këtu.
Në të njëjtën kohë është evidente që përkushtimi jonë për shëndetësinë i cili është shprehur me buxhetin për vitin 2023 është duke u vazhduar konkretisht me këso lloj investimesh.
Ju të gjithë e dini se buxheti për shëndetësinë është ngritur për 50 për qind, është 300 milionë euro dhe 1/5, rreth 60 milionë euro, i dedikohet listës esenciale të barnave.
Prandaj edhe vizita jonë është vizitë për t’i përgëzuar, për te shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tonë për mjekët, infermierët dhe fizikantët, por njëkohësisht për të treguar zotimin tonë se do të vazhdojmë edhe më tej me këto investime në vijim. Për gjashtë muaj ka qenë plani që të bëhet instalimi dhe montimi i akseleratorit të dytë dhe është bërë për tre muaj e nëntë ditë. Ajo që është planifikuar për 6 muaj është bërë për tre muaj e 9 ditë.



