Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se për nëntë muaj Kuvendi i Kosovës ka pasur më së paku rezultate dhe se kjo ka qenë periudha më e dështuar e legjislativit, raporton Ekonomia Online.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai shtoi se kreu i Qeverisë, në të gjitha proceset po e mban peng vendin, duke përmendur procesin e dialogut.
“Nëntë muaj të Kuvendit të vitit 2023 ka qenë muajt dhe periudha më e dështuar me pak rezultate. Kemi një shumicë parlamentare që ka mbi 50 për qind dhe i lus qytetar se a ka ndonjë ligj që ka ndikuar tek ta”.
“Ne si grup jemi duke pranuar që për sektorin publik te iniciojmë një nismë që lidhet me koeficient e pagave për zyrtarët publik. Ne jemi duke pritur një verdikt nga Kushtetuesja për pagën në sektorin privat. Me procesin e dialogut është duke e mbajtur Kosovën peng, në krizë”.
Tahiri ka bërë të ditur se në seancën e së enjtes do të diskutojmë për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit.
“Të enjten, seanca e rregullt përkon, po ashtu, me një datë të rëndësishme për Kosovën, është 14 shtatori ku pritet të ketë një takim i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë seancë, kryetari Haradinaj do t’i bëjë disa qëndrime, për shkak se dialogu, ashtu siç po e menaxhon dhe udhëheq kryeministri Kurti, është ka e mban Kosovën peng, në krizë dhe në sanksione. Ai duhet të japë një sqarim pas 14 shtatorit se çka do të bëjë, për shkak se ky pozicion i ka krijuar disa rrethana, që po e kthejnë Kosovën mbrapa, po e thellojnë krizën dhe janë duke e dëmtuar Kosovën në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm”.
“Në seancën e së enjtes do të diskutojmë për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit. Sot, është dita e dhjetë prej kur ka nisur mësimi dhe ende vazhdon problemi i furnizimit të nxënësve me tekste dhe mjete shkollore. Në botën demokratike, mësuesi, arsimtari, profesori, drejtori i shkollës, drejtori komunal e ministri japin llogari nëse humb vetëm një ditë mësimi. Sipas të dhënave, në shumicën e komunave 30-60% e nxënësve nuk i kanë të kompletuara tekstet mësimore, për shkak të një eksperimenti të Qeverisë së Kosovës”, ka shtuar Tahiri.
“Është me rëndësi, që në këtë seancë, do të dekonspirohet edhe një vendim eksperimental, që e dëmtoi sektorin publik. Problemin më të madh që e ka shkaktuar ky vendim, është pabarazia sociale. Kjo pabarazi vjen nga një qeveri, e cila është e majtë dhe promovon barazinë dhe aspektin social në shtet”, ka përfunduar ai.

